
Kombëtarja e Shqipërisë do ta zhvillojë ndeshjen e fundit në kuadër të Grupit C1 në Ligën C të UEFA Nations League ndaj Bjellorusisë, e cila do të luhet në stadiumin “Illovszky Rudolf” në Budapest të Hungarisë.
Përballja e paraparë të zhvillohet më 15 nëntor do të luhet me dyert e mbyllura dhe pa praninë e spektatorëve në shkallët e stadiumit.
Kjo masë vjen si pasojë e sanksioneve në fuqi nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, të vendosura më 3 mars 2022, me të cilat obligohen reprezentacionet dhe klubet bjelloruse që ndeshjet si vendës t’i zhvillojnë në terrene neutrale dhe pa praninë e publikut.
Për këtë arsye, pavarësisht se sfida zhvillohet jashtë territorit të Bjellorusisë, tifozët kuqezi nuk do të kenë mundësi ta mbështesin Kombëtaren nga afër në këtë transfertë përcaktuese për mbylljen e aventurës në fazën e grupeve.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali