
Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, në seancën e Kuvendit të Kosovës, në shënimin e 10-vjetorit të vdekjes së Astrit Deharit, ka kërkuar drejtësi për të dhe përgjegjësi institucionale për zbardhjen e rrethanave të vdekjes së tij.
Tahiri ka thënë se grupi parlamentar i Aleancës, me të gjitha kapacitetet institucionale, kërkon nga shteti dhe sistemi i drejtësisë që të japin përgjigje për rastin Dehari.
“Edhe grupi parlamentar i Aleancës, nga kjo foltore, në shënimin e 10-vjetorit të vrasjes së Astrit Deharit, pa asnjë dyshim, me krejt fuqinë institucionale kërkojmë nga shteti, nga sistemi i drejtësisë, drejtësi për Astritin. Sikurse që kërkojmë përgjegjësi të drejtpërdrejtë prej kësaj shumice, e cila po harron se për gjashtë vjet i ka fituar mbi 50 për qind dhe nuk ka arritur të na sjellë në Kuvend një evidencë të thjeshtë, e cila së paku do t’u mundësonte qytetarëve të Kosovës, familjes, neve dhe juve që e keni pasur koleg, të dimë se çfarë ka ndodhur”, ka deklaruar Tahiri, njofton Klankosova.tv.
Ai ka kërkuar që rasti të mos politizohet, por të trajtohet përmes institucioneve përgjegjëse, duke kërkuar llogaridhënie edhe nga personat që kanë qenë në pushtet gjatë këtyre gjashtë vjetëve.
“Pra, lëreni këtë punë, mos e politizoni, kërkoni përgjegjësi edhe ndaj personave që janë në pushtet tash e gjashtë vjet dhe nuk kanë bërë asgjë rreth kësaj teme. Pra, ne kërkojmë drejtësi si ju, por edhe përgjegjësi dhe llogaridhënie”, ka theksuar deputeti i Aleancës./Klankosova.tv