“Synojnë të na heqin të drejtën për të protestuar dhe kundërshtuar padrejtësinë”, studentët çojnë në Kushtetuese tre akte të qeverisë

“Synojnë të na heqin të drejtën për të protestuar dhe kundërshtuar padrejtësinë”, studentët çojnë në Kushtetuese tre akte të qeverisë

Written by

in

Këtë të enjte, një grup të rinjsh, përfaqësues të studentëve protestues kanë depozituar në Gjykatën Kushtetuese ankimin e tyre për 3 VKM të qeverisë, që i pengon ata të grumbullohen dhe të protestojnë.

Gjatë një komunikimi për mediat, ata u shprehën se kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese që të pezullohet zbatimi i dispozitës. Sipas të rinjve protestues, këto tre akte të ndryshme kanë një mesazh të përbashkët, kush ngre zërin kundër pushtetit duhet të ketë frikë.

“Tre akte të ndryshme, me një mesazh të përbashkët: kush ngre zërin kundër pushtetit, duhet të ketë frikë nga pasojat. Qeveria thotë se me këtë paketë “protesta paqësore mbrohet” dhe se “përgjegjësia është gjithnjë vetjake”, paketa “antidhunë” ndëshkon edhe ata që nuk kanë ushtruar dhunë”, tha njëri nga studentët.

Ndërsa një studente tjetër argumentoi se të protestosh nuk është faj dhe se ata që protestojnë nuk mund të trajtohen si armiq.

“Kërkojmë që Gjykata Kushtetuese t’i shqyrtojë ankimet me përparësi. I kërkojmë gjithashtu që, deri në vendimin përfundimtar, të pezullojë zbatimin e dispozitave për të cilat kemi kërkuar pezullim. Edhe nëse Kuvendi i miraton aktet normative, ankimet nuk mbeten pa objekt, i kemi kërkuar Gjykatës ta shtrijë kontrollin edhe te ligji miratues. Një brez i tërë të rinjsh po e nis jetën përballë një shteti që, në vend që t’u garantojë hapësirë për debat, kundërshtim e pjesëmarrje demokratike, u përgjigjet me dhunë e frikë. Nuk duam të rritemi duke mësuar se të kundërshtosh pushtetin është faj dhe se pjesëmarrja në protestë është arsye për t’u trajtuar si armik”, u shpreh ajo. /Tch/