Ministri zviceran: Zvicra dhe Kosova kanë lidhje të forta, mbështesim rrugën drejt integrimit evropian

Ministri zviceran: Zvicra dhe Kosova kanë lidhje të forta, mbështesim rrugën drejt integrimit evropian

Written by

in

Ministri zviceran: Zvicra dhe Kosova kanë lidhje të forta, mbështesim rrugën drejt integrimit evropian

Ministri i Punëve të Jashtme i Zvicrës, Ignazio Cassis, i ka cilësuar si të shkëlqyera marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, duke theksuar historinë e gjatë të bashkëpunimit dhe lidhjet e fuqishme që dy vendet kanë krijuar ndër vite.

Pas takimit me zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, Cassis ka deklaruar se kjo është vizita e tij e parë në Prishtinë si anëtar i Qeverisë zvicerane.

Ai ka rikujtuar se Zvicra ishte ndër vendet e para që e njohu pavarësinë e Kosovës, ndërsa si një prej faktorëve kryesorë që kanë forcuar raportet mes dy shteteve ka veçuar diasporën kosovare që jeton dhe punon në Zvicër.

“Sot jam për herë të parë në Prishtinë si anëtar i Qeverisë zvicerane, ndonëse prej vitesh kemi pasur takime të vazhdueshme, por sot më në fund u bë e mundur dhe më vjen shumë mirë që jam në Prishtinë. Zvicra dhe Kosova kanë një histori të gjatë të marrëdhënieve intensive dhe të shkëlqyera. Ne ishim ndër vendet e para që e njohëm pavarësinë e Kosovës, që në orët e para, siç mund të thuhet, dhe lidhjet tona janë bërë kaq të forta edhe për shkak se kemi qenë shumë të hapur për t’i hapur kufijtë për shumë njerëz nga Kosova, të cilët kanë ardhur në Zvicër për të punuar dhe për të jetuar me familjet e tyre, të cilët ne i njohim si diasporë kosovare”, ka deklaruar Cassis.

Kreu i diplomacisë zvicerane ka përmendur edhe numrin e qytetarëve me prejardhje nga Kosova që jetojnë në Zvicër, duke thënë se bëhet fjalë për rreth 500 mijë persona, të cilët përbëjnë pothuajse 10 për qind të popullsisë së këtij shteti.

“Bëhet fjalë për rreth 500 mijë njerëz, gra, burra dhe fëmijë, që jetojnë në Zvicër dhe që kanë ose pasaportë kosovare, ose të paktën vijnë nga kjo trevë, ndoshta edhe para se Kosova të njihej si shtet. Kjo përbën pothuajse 10 për qind të të gjithë popullsisë, gjë që natyrshëm krijon një lidhje njerëzore jashtëzakonisht të fortë. Përveç kësaj, ata janë heronj të futbollit në vendin tonë dhe besoj se e kuptoni se çfarë dua të them me këtë”, ka thënë ai.

Cassis ka veçuar edhe vizitën shtetërore të ish-presidentes Vjosa Osmani në Zvicër, në mars të vitit të kaluar, duke e cilësuar atë si një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet dypalëshe.

Ai ka bërë të ditur gjithashtu se pret pjesëmarrjen e Kosovës në samitin e dhjetë të Komunitetit Politik Evropian, i cili do të mbahet në Cyrih në prill të vitit të ardhshëm.

“Vizita shtetërore e ish-presidentes suaj, Vjosa Osmani, në mars të vitit të kaluar, ishte një tjetër moment i rëndësishëm në marrëdhëniet tona dypalëshe. Gjithashtu, mezi pres që ta mirëpres Kosovën në samitin e dhjetë të Komunitetit Politik Evropian, që do të mbahet në Cyrih në prill të vitit të ardhshëm. Jam vërtet i kënaqur që Kosova do të marrë pjesë edhe në këtë samit, siç sapo dëgjova”, ka deklaruar Cassis.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali