Në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës këtë të enjte është realizuar lindja e parë me prerje cezariane e një pacienteje, shtatzënia e së cilës ishte arritur përmes procedurave të fertilizimit të asistuar (IVF) në sektorin publik shëndetësor.
Lajmin e ka bërë të ditur drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë dhe Obstetrikës, Zef Ndrejaj, i cili ka vlerësuar se kjo përbën një arritje të rëndësishme për shërbimin shëndetësor publik në Kosovë.
Ndrejaj ka thënë se ky sukses është rezultat i punës, përkushtimit dhe profesionalizmit të stafit shëndetësor të klinikës.
“Sot pata kënaqësinë dhe nderin që, së bashku me kolegët e mi të Klinikës së Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në QKUK, të realizojmë lindjen e parë me prerje cezariane të një pacienteje, shtatzënia e së cilës ishte arritur përmes procedurave të fertilizimit të asistuar (IVF) në sektorin publik të shëndetësisë në Kosovë”, ka shkruar Ndrejaj.
Ai ka theksuar se ky zhvillim dëshmon konsolidimin dhe avancimin e shërbimit të IVF-së në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës, duke shprehur bindjen se ky shërbim ka një të ardhme premtuese.
Sipas tij, kjo arritje nuk është vetëm sukses institucional, por edhe një lajm i mirë për qytetarët dhe veçanërisht për çiftet që përballen me sfida të infertilitetit.
“Është një shpresë e re për çiftet që përballen me sfidat e infertilitetit dhe një dëshmi se edhe në sektorin publik mund të ndërtohen shërbime moderne, cilësore dhe të besueshme”, ka shkruar Ndrejaj.
Burimi: Dukagjini
