Një kuzhinier italian është pushuar nga puna në një restorant në Brisbane të Australisë, pasi kishte refuzuar të përgatiste pica me ananas, duke e cilësuar këtë si “fyerje ndaj kulturës së tij”.
Davide Tamburella u largua nga puna në maj, nga restoranti tashmë i mbyllur La Costa, rreth dy javë pas një takimi me drejtuesit, të cilët kishin paraqitur një sërë ankesash për sjelljen e tij.
Ndër arsyet e përmendura ishte edhe refuzimi i tij për të përgatitur pica me proshutë dhe ananas për mysafirët në një organizim. Në atë kohë, kuzhinieri kishte deklaruar se udhëzimet e menaxhmentit nuk duhej të zbatoheshin nëse ato ishin fyese për kulturën e tij.
Rasti u bë publik pasi Tamburella iu drejtua Komisionit Australian për Punë të Drejta (Fair Work Commission), duke pretenduar se ishte pushuar padrejtësisht, transmeton Telegrafi.
Në vendimin e publikuar të martën, komisioni theksoi se kuzhinieri kishte refuzuar të vendoste ananas në pica sepse, siç thuhet në dokument, “ai konsideron se, si italian, vendosja e ananasit në picë është fyerje ndaj kulturës së tij”.
Komisioni vuri në dukje gjithashtu se kjo ishte hera e tretë brenda katër vjetësh që Tamburella kishte refuzuar përdorimin e këtij fruti në pica. Në rastet e mëparshme, ai i kishte kërkuar shefit të tij që të informohej se sa e rëndësishme është për italianët të mos vendosin ananas në picë.
Queensland, shteti ku ndodhej restoranti, konsiderohet si qendra kryesore e prodhimit të ananasit në Australi dhe siguron të gjithë sasinë e këtij fruti që kultivohet komercialisht në vend.
Në zonën e Sunshine Coast, turistët ndalojnë shpesh për t’u fotografuar pranë monumentit “The Big Pineapple”, një model gjigant prej tekstil me fije qelqi, 16 metra i lartë, i cili është shpallur objekt i trashëgimisë dhe është kthyer në një simbol lokal.
Megjithatë, ankesat ndaj kuzhinierit nuk kishin të bënin vetëm me picën. Në vendim përmenden edhe përdorimi i gjuhës fyese, mënyra e komunikimit dhe “përshkallëzimi i frustrimit në vendin e punës”.
Dokumenti përshkruan edhe një incident të ndodhur në prill të këtij viti, kur Tamburella kishte thyer disa eshtra në dorën e djathtë pasi kishte goditur një parmak metalik.
Kuzhinieri shpresonte që restoranti t’i mundësonte sponsorizimin e një vize pune për punëtorë të kualifikuar, e cila do t’i hapte rrugën drejt qëndrimit të përhershëm në Australi. Por, pas pushimit të tij nga puna, restoranti e ndërpreu këtë proces, sipas asaj që u bë e ditur gjatë shqyrtimit të rastit.
Megjithatë, Tamburella e humbi kërkesën për pushim të padrejtë nga puna, pasi aplikimi i tij ishte dorëzuar jashtë afatit të përcaktuar.
Drejtori menaxhues i restorantit, Elliot Ingram, i tha gazetës “Daily Mail” se “kjo histori ka shumë më tepër sesa një mbushje për picë”.
Në profilin e tij në LinkedIn, kuzhinieri përshkruhet si një profesionist që gjatë karrierës është përqendruar në “ofrimin e ushqimit të jashtëzakonshëm” dhe “përmirësimin e performancës së biznesit”.
Tre muaj më parë, ai kishte publikuar edhe një letër drejtuar kuzhinierëve, me temën “respektimi i përbërësve”.
Sipas profilit të tij në LinkedIn, Tamburella tashmë punon në një tjetër restorant në Brisbane. BBC-ja ka kontrolluar menynë e këtij restoranti dhe ka konstatuar se aty nuk ofrohet picë me ananas. /Telegrafi/