Kurti: Ende nuk e dimë emrin e vrasësit
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Astrit Dehari ishte mbajtur në paraburgim për 68 ditë, pa aktakuzë, pa gjykim dhe pa u marrë asnjëherë në pyetje.
“Astrit Dehari ishte i paraburgosur pa aktakuzë, pa gjykim, pa dënim, dhe për 68 ditë në burg nuk u mor fare në pyetje. Megjithatë, në qelinë A3 të burgut të Prizrenit, e mbytën”, ka deklaruar Kurti.
“Sot, 10 vjet më vonë, ne ende nuk e dimë emrin e vrasësit, ndërkohë që pesë prokurorë janë ndërruar përgjatë rastit”, ka thënë ai.
Kurti ka përmendur edhe raportet e autopsisë dhe atë të Institutit Zviceran nga Lozana, për të cilat ka thënë se përjashtojnë mundësinë e vetëvrasjes së Deharit.
Haliti: Astriti ishte solidar dhe me bindje të forta politike
Ish-aktivisti Egzon Haliti, shok i fëmijërisë së Deharit, ka kujtuar solidaritetin dhe përkushtimin e tij për t’i kthyer bindjet politike në veprime konkrete.
“Përveç se ka qenë jashtëzakonisht solidar dhe njerëzor, Astriti ka pasur thellësi dhe bindje të forta politike, të cilat i vëreja nga diskutimet e përditshme dhe literatura e ndryshme që m’i propozonte për lexim”, ka thënë Haliti.
Ai ka theksuar se kujtimi për Deharin nuk duhet të mbetet vetëm në nivelin e ceremonive përkujtimore, por të shërbejë për vazhdimin e angazhimit për vlerat që ai përfaqësonte.
Hajdini kujton angazhimin e hershëm politik të Deharit
Bashkëvendësi Destan Hajdini ka kujtuar angazhimin politik të Deharit që në moshë të re, si dhe periudhën e qëndrimit të tij në paraburgim.
“Sot po përkujtojmë dhjetëvjetorin e vrasjes së Astritit, i cili u arrestua më 13 gusht 2016 pa ngritje aktakuze. Pa ngritje të aktakuzës, në procesin hetimor, në ditën e 67-të u privua nga jeta Astriti”, ka deklaruar Hajdini.
Ai ka përmendur edhe përkushtimin e Deharit në aktivitetet kombëtare dhe politike.
Zhitia: Do të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi për Astritin
Shoqja dhe bashkëaktivistja e Deharit, Rine Zhitia, ka kujtuar mënyrën se si ai i afronte aktivistët e rinj dhe përkushtimin e tij ndaj njerëzve.
“Ishte student i dalluar, me pasion të madh për mjekësinë, për të cilin aktivizmi politik e shëndetësia ishin forma të ndryshme të së njëjtës përkujdesje për njeriun”, ka thënë Zhitia.
“Astritin do e kujtojmë gjithmonë me dashuri. E po me atë këmbëngulje do vazhdojmë të kërkojmë drejtësi për të”, ka deklaruar ajo.
Pas përfundimit të akademisë përkujtimore me rastin e 10-vjetorit të vdekjes së Astrit Deharit, kryeministri Albin Kurti, së bashku me anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, ka ndezur qirinj pranë muralit “Astrit Dehari”.
Ndërkohë, gjatë ditës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me prindërit e Astrit Deharit, Avniun dhe Xhemilen, familjarë, kolegë dhe aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, kanë bërë homazhe te varri i Astritit, në 10-vjetorin e vdekjes së tij.
Burimi: RTKLive
