Po filloni palestrën? Këto janë 6 gabimet që duhet t’i shmangni që në javën e parë

Po filloni palestrën? Këto janë 6 gabimet që duhet t’i shmangni që në javën e parë

Written by

in

Po filloni palestrën? Këto janë 6 gabimet që duhet t’i shmangni që në javën e parë

Java e parë në palestër mund të jetë vendimtare për krijimin e një rutine të rregullt të stërvitjes. Megjithatë, entuziazmi për të arritur rezultate sa më shpejt shpesh i shtyn fillestarët të bëjnë gabime që mund të shkaktojnë lodhje, dhimbje muskulore dhe madje edhe lëndime.

Një nga gabimet më të shpeshta është stërvitja e tepërt që në fillim. Ushtrimet çdo ditë deri në rraskapitje nuk janë mënyra e duhur për të nisur, pasi trupi ka nevojë për kohë që të përshtatet me ngarkesën fizike. Rekomandohet që fillestarët të nisin me dy ose tri stërvitje në javë dhe ta rrisin intensitetin gradualisht.

Po ashtu, anashkalimi i ngrohjes mund të rrisë rrezikun e tendosjeve dhe lëndimeve. Disa minuta ecje në pistë ose biçikletë, të shoqëruara me lëvizje të lehta të nyjeve, ndihmojnë në përgatitjen e trupit për ushtrime.

Një tjetër gabim është përdorimi i peshave të rënda pa zotëruar teknikën e duhur. Përpjekja për të ngritur më shumë se kapaciteti fizik mund të bëjë që ngarkesa të kalojë te shpina, shpatullat apo gjunjët. Fillimisht duhet të mësohet lëvizja e saktë dhe më pas të rritet pesha.

Fillestarët shpesh stërviten edhe pa një plan të qartë, duke kaluar nga një pajisje në tjetrën pa ditur cilat ushtrime duhet të bëjnë, sa sete apo përsëritje. Një plan i thjeshtë dhe i qëndrueshëm ndihmon në organizimin e stërvitjes dhe përcjelljen e progresit.

Gjithashtu, përqendrimi vetëm në një lloj ushtrimi është një tjetër gabim që duhet shmangur. Një program i balancuar duhet të përfshijë ushtrime të forcës, kardio dhe ushtrime për grupe të ndryshme muskulore.

Në fund, neglizhimi i pushimit dhe rikuperimit mund të pengojë rezultatet. Gjumi i mjaftueshëm, ditët e pushimit dhe ushqyerja e rregullt janë pjesë e rëndësishme e procesit të ndërtimit të muskujve dhe përmirësimit të formës fizike.

Ekspertët këshillojnë që personat që nuk janë të sigurt për mënyrën e kryerjes së ushtrimeve t’i drejtohen trajnerit në palestër. Ndërsa personat me sëmundje kronike, probleme me zemrën ose lëndime të mëparshme duhet të konsultohen me mjekun para se të nisin stërvitjen.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali