Bllokimi i dyerve të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit një ditë më parë, rezultoi i suksesshëm për aktivistët e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist.
Zejnulla Gashi i pranoi në takim që ndodhi sot në mëngjes pas dakordimit të një nate më parë.
Por, aty fillimisht ndodhi një diskutim me zyrtarë të këtij institucioni, meqë protestuesit insistonin që kryeprokurori të dal në oborr për të biseduar.
“Takimet nuk i mbajmë në oborr e në rruge, por në zyre… ne po dojmë këtu ne nuk dojm me u nda..”, ka thënë një zyrëtare e zyrës së Kryeprokurorit.
Pas diskutimeve, më në fund u arrit dakordimi që brenda të futen të gjithë që ishin të pranishëm.
“Ju po sepse nuk ka hapsirë për media…”, kanë thënë një aktiviste.
Takimi zgjati rreth 30 minuta por sërish nuk ishte bindës për protestuesit.
“Neve na u tha se do të ndiqen procedurat ligjore, gjë që për ne është një dozë dyshimi, të cilën e kemi parë edhe në të kaluarën, kur rastet merren me një procedurë të zakonshme dhe kur nuk na jepet një afat çka i bie që shteti po e merr vrasjen e Arlindës me urgjencë? Kjo mund të çojë në përsëritjen e historisë. Njerëzit që i çojnë gratë drejt vrasjes përfundojnë duke u kthyer në institucione”, ka thënë Liridona Sijarina nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist.
Sijarina tha se do të vazhdojnë me protesta deri në plotësim të kërkesave të tyre.
“Ne nuk kemi për t’u tërhequr dhe nuk kemi me pushu së angazhimin derisa t’i shohim të gjithë akterët që e kanë çuar Arlindën drejt vrasjes, jo vetëm të pushuar nga puna, por edhe të burgosur. Ky ka qenë komunikimi jone dhe ka me qenë ajo cka kemi me insistu në protestat e tona”, ka shtuar Sijarina.
Për atë se çka diskutuan në takim nuk deshi të flasë vetë Kryeprokurori i Shtetit.
Pas vrasjes së Arlinda Zekajt, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka mbajtur çdo natë protestë, teksa u paralajmërua se te shtunën do organizohet protestë gjithëpopullore nga ora 12:00.
Burimi: Dukagjini
