Në konferencën e sotme për shtyp, ministri i Shëndetësisë, Sašo Klekovski, prezantoi rezultatet e vizitës së kirurgëve nga Qendra Mjekësore „Sheba“ në Tel Aviv.
Siç njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë, së bashku me ekipet mjekësore të Maqedonisë së Veriut, ata realizuan 24 ekzaminime specialistike dhe 16 operacione te personat e lënduar në tragjedinë në Koçan.
“Fokusi i ekipit izraelit ishte te shputat e duarve dhe gjymtyrët e sipërme, me qëllim të rikthimit të funksionit të tyre. Ndërhyrjet kirurgjikale përfshinë ekscizionin dhe revizionin e cikatriceve, lirimin e kontrakturave, Z-plastikën dhe transplantimin e lëkurës me trashësi të plotë”, thonë nga MSH.
“Autoritetet shëndetësore janë të angazhuara në kujdesin afatgjatë. Kujdesi për personat e lënduar në Koçan nuk përfundoi me trajtimin spitalor. Ai vazhdon përmes ndërhyrjeve kirurgjikale, kontrolleve dhe rehabilitimit. I falënderoj kolegët nga Qendra Mjekësore „Sheba“. Dr. Harac dhe dr. Kanfino Kac ishin me ne edhe menjëherë pas tragjedisë, ndërsa tani janë kthyer sërish për të vazhduar të ofrojnë ndihmën e tyre“, deklaroi ministri Klekovski.
Janë operuar gjithsej 16 pacientë, 10 burra dhe 6 gra. Gjashtë operacione janë kryer në Klinikën për Kirurgji Plastike dhe Rekonstruktive në Shkup, ndër të cilat pesë ndërhyrjet më komplekse, ndërsa dhjetë operacione janë kryer në Spitalin e Përgjithshëm të Koçanit.
Drejtoresha Gjorgievska Pavlovska theksoi se në Klinikë vazhdon ndjekja dhe monitorimi i pacientëve të operuar. Drejtoresha Mirçovska shtoi se dhjetë pacientët e operuar në Koçan do t’i vazhdojnë kontrollet mjekësore pranë vendbanimit të tyre.
Gordana Georgieva shpjegoi se grupi punues i Ministrisë koordinon të gjitha aktivitetet për përmbushjen e nevojave të personave të lënduar, duke filluar nga kategorizimi i lëndimeve e deri te hartimi i planit të rehabilitimit për secilin pacient.