Nëna e Astrit Deharit: Kam shpresuar që s’do të dal më nëpër studio

Nëna e Astrit Deharit: Kam shpresuar që s’do të dal më nëpër studio

Written by

in

Nëna e Astrit Deharit, Xhemile Dehari, ka thënë se çdo përvjetor i vdekjes së të birit po bëhet gjithnjë e më i rëndë, sidomos për shkak të zgjatjes së pritjes për zbardhjen e rastit.

Në Debat Plus, në 10-vjetorin e vdekjes së Astrit Deharit, ajo ka thënë se shpresonte që vizita e saj e fundit në studio të ishte e fundit ku do të duhej të fliste publikisht për këtë rast.

“Çdo ditë është e vështirë, po përvjetori edhe më i rëndë. Çdo përvjetor po vjen duke u rënduar edhe më shumë. Duke u nisur prej asaj që u zgjat shumë. 10 ditë janë shumë, 10 muaj janë shumë e 10 vjet edhe më shumë”, ka deklaruar Dehari.

Ajo ka treguar se kishte shpresuar që deri në këtë përvjetor të mos kishte më nevojë të paraqitej në studio televizive për të folur për vdekjen e të birit.

“Kam shpresuar se do të jetë hera e fundit, kur isha herën e fundit këtu (në ‘Debat Plus’), që s’do të dal më nëpër studio”, është shprehur ajo.

Astrit Dehari vdiq më 5 nëntor 2016, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ndërsa rasti i tij vazhdon të jetë në qendër të kërkesave të familjes për zbardhjen e plotë të rrethanave të vdekjes.