Pesë filma francezë shfaqen në Pejë, hyrja në Kinema “Jusuf Gërvalla” pa pagesë

Pesë filma francezë shfaqen në Pejë, hyrja në Kinema “Jusuf Gërvalla” pa pagesë

Written by

in

Kinema “Jusuf Gërvalla” në Pejë do të organizojë një javë të filmit francez, gjatë së cilës publiku do të ketë mundësi të shikojë pesë filma, me hyrje pa pagesë.

Sipas njoftimit, programi do të mbahet nga 9 deri më 13 nëntor, me nga një shfaqje çdo mbrëmje, duke filluar nga ora 19:00.

Në kuadër të këtij programi do të shfaqen katër filma të animuar dhe një komedi klasike, me histori që trajtojnë tema të ndryshme, nga emigrimi dhe familja, te letërsia, fantashkenca dhe aventurat komike.

“No Dogs or Italians Allowed” (2022)

Java e filmit francez do të nisë më 9 nëntor me filmin “No Dogs or Italians Allowed” (2022), me regji të Alain Ughetto, i cili rrëfen historinë e një familjeje italiane që emigron drejt Francës në kërkim të një jete më të mirë.

Më 10 nëntor do të shfaqet “Blind Willow, Sleeping Woman” (2022), me regji të Pierre Földes, i bazuar në tregimet e shkrimtarit japonez Haruki Murakami.

Programi vazhdon më 11 nëntor me filmin fantastiko-shkencor “Mars Express” (2023), të regjisorit Jérémie Périn, që sjell një histori të vendosur në vitin 2200, ku një detektive dhe partneri i saj android hetojnë zhdukjen e një studenteje në Mars.

“Mars Express” (2023)

Ndërkaq, më 12 nëntor publiku do të mund të shikojë filmin e animuar “The Triplets of Belleville” (2003), të regjisorit Sylvain Chomet, që tregon përpjekjet e një gjysheje për të shpëtuar nipin e saj, një çiklist i rrëmbyer gjatë garës Tour de France.

Java do të përmbyllet më 13 nëntor me komedinë “Asterix & Obelix: Mission Cleopatra” (2002), me regji të Alain Chabat, ku Asteriksi dhe Obeliksi ndihmojnë Kleopatrën në ndërtimin e një pallati për Jul Cezarin.

“Asterix & Obelix: Mission Cleopatra” (2002)

Sipas organizatorëve, disa nga filmat e përzgjedhur janë vlerësuar në festivale ndërkombëtare, përfshirë Festivalin e Animacionit në Annecy, European Film Awards dhe çmimet César.

Të gjitha shfaqjet do të fillojnë në orën 19:00 në Kinemanë “Jusuf Gërvalla” në Pejë, ndërsa hyrja do të jetë pa pagesë. /Telegrafi/