Van Dijk alarmon Liverpoolin: Kështu nuk mund të vazhdojmë

Van Dijk alarmon Liverpoolin: Kështu nuk mund të vazhdojmë

Written by

in

Kapiteni i “Të Kuqve” ka reaguar pas humbjes 3-2 ndaj Fenerbahçes në Stamboll, ku skuadra angleze pësoi tri gola nga goditjet standarde.

Liverpooli kaloi dy herë në epërsi përmes Trey Nyoni dhe Alexander Isak, por vendasit arritën të riktheheshin në lojë, përpara se Vedat Muriqi të shënonte golin e fitores në minutën e 79-të.

Kjo humbje i dha fund serisë së përsosur të Liverpoolit në fazën e ligës së Ligës së Kampionëve, por shqetësimi për mbrojtjen është edhe më i madh.

Skuadra angleze kishte pësuar nga tri gola edhe në fitoret ndaj Villarrealit dhe LASK-ut, duke regjistruar për herë të parë në histori tri ndeshje radhazi në garat madhore evropiane me së paku tri gola të pësuar.

Van Dijk nuk e fshehu zhgënjimin për paraqitjen defensive të skuadrës, duke theksuar se kjo situatë nuk mund të vazhdojë.

“Definitivisht nuk është e qëndrueshme. Prandaj kjo është një mbrëmje shumë zhgënjyese për shumë arsye, por sidomos për shkak të golave që pësuam dhe mënyrës se si i pranuam. Kemi shumë punë për të bërë”, deklaroi mbrojtësi holandez.

Ai veçoi në veçanti golat e pësuar nga goditjet standarde, duke pranuar se skuadra nuk ishte e përqendruar sa duhet.

“Edhe tri gola nga goditjet standarde. Deri më tani kemi qenë shumë të mirë në këtë aspekt, por humbëm përqendrimin dhe nuk ishim të gatshëm për topin e parë dhe të dytin. Është një humbje e vështirë për t’u pranuar”, shtoi Van Dijk.

Liverpooli tashmë ka regjistruar dy humbje radhazi, pas disfatës ndaj Arsenalit në fundjavën e kaluar.

Skuadra e drejtuar nga Andoni Iraola do të kërkojë rikthimin te rezultatet pozitive të dielën, kur përballet me Crystal Palace në Premierligë.

Van Dijk e konsideron këtë takim shumë të rëndësishëm, duke kërkuar reagim nga bashkëlojtarët pas dy rezultateve zhgënjyese.

“Është një ndeshje shumë e rëndësishme. Do të rikthehemi në Liverpool, do të përgatitemi dhe do të rikuperohemi fizikisht e mentalisht. E dimë se gjithmonë është e vështirë ndaj Crystal Palace dhe nuk pres diçka ndryshe”, përfundoi kapiteni i Liverpoolit.

Burimi: RTKLive