
Real Madridi ka nisur të shqyrtojë alternativat për portën e ekipit, në rast të largimit të Thibaut Courtois në të ardhmen e afërt.
Sipas raportimeve, drejtuesit e klubit madrilen po analizojnë tri opsione për të gjetur portierin që mund ta zëvendësojë belgun, kontrata e të cilit me “Los Blancos” përfundon në verën e vitit 2027.
Në listën e kandidatëve janë përfshirë Bart Verbruggen i Brightonit, Diogo Costa i Portos dhe Mike Penders, portieri belg që është në pronësi të Chelseat.
Verbruggen, 24-vjeçar, konsiderohet një nga alternativat kryesore. Holandezi po kalon një sezon të mirë në Ligën Premier, ndërsa kontrata e tij me Brightonin është e vlefshme deri në qershor të vitit 2028. Vlera e tij në treg vlerësohet rreth 40 milionë euro.
Një tjetër emër është portieri portugez Diogo Costa, 27-vjeçar dhe kapiten i Portos. Kontrata e tij me klubin portugez skadon në qershor të vitit 2027, çka mund ta bëjë më të lehtë arritjen e një marrëveshjeje për transferimin e tij.
Ndërkohë, alternativa e tretë është Mike Penders, 21-vjeçari belg që është në pronësi të Chelseat. Ai shihet si një projekt afatgjatë dhe një portier me potencial për të marrë përgjegjësi të mëdha në të ardhmen. Kontrata e tij me klubin londinez është e vlefshme deri në vitin 2032.
Sipas raportimeve, skautët e Real Madridit pritet t’i paraqesin bordit raportet krahasuese për të tre portierët gjatë muajve të parë të vitit 2027.
Vendimi përfundimtar do të varet edhe nga e ardhmja e Courtois, i cili ende nuk e ka të qartë nëse do ta vazhdojë qëndrimin në “Santiago Bernabeu”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali