Gërvalla i bëri këto komente në panelin kushtuar luftës kundër korrupsionit, në kuadër të Forumit Ministror BE–Ballkani Perëndimor për Drejtësi dhe Punë të Brendshme që po mbahet në Budvë të Malit të Zi.
Ajo tha se përballja me korrupsionin kërkon vullnet të palëkundur institucional.
“Lufta kundër korrupsionit kërkon që pasuria e pajustifikueshme të verifikohet, përfitimet e paligjshme të konfiskohen, zyrtarët publikë të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre dhe rrjetet kriminale të mos gjejnë strehë në kufijtë e shteteve. Asnjë pozitë publike, asnjë pasuri dhe asnjë lidhje politike nuk duhet të jetë mburojë përballë ligjit”, ka shkruar Gërvalla në një postim në Facebook.
Ajo ka thënë se Republika e Kosovës mbetet e vendosur të thellojë reformat në drejtësi, të forcojë mekanizmat për parandalimin dhe ndëshkimin e korrupsionit dhe të zgjerojë bashkëpunimin me partnerët evropianë, duke konsoliduar e forcuar sundimin e ligjit dhe duke garantuar përgjegjësi e barazi për të gjithë njësoj para ligjit.
Burimi: RTKLive
