
Një mosmarrëveshje familjare në fshatin Karaçevë e Epërme të Kamenicës dyshohet se ka përfunduar me dhunë fizike, ku një 24-vjeçare ka goditur nënën e saj me çelësat e shtëpisë, duke i shkaktuar lëndime në pjesën e kokës, afër syrit. Rasti është denoncuar në Polici disa ditë pas incidentit, ndërsa tashmë kanë nisur hetimet për dhunë në familje.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se incidenti ka ndodhur më 1 nëntor 2026, rreth orës 19:00, në fshatin Karaçevë e Epërme të Kamenicës.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, N.K. 51 vjeçare dyshohet se është sulmuar fizikisht nga vajza e saj, E.K. 24 vjeçare, pas një mosmarrëveshjeje brenda familjes.
Gjatë përplasjes, 24-vjeçarja dyshohet se e ka goditur nënën me çelësat e shtëpisë në anën e majtë të kokës, pranë syrit, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.
Pavarësisht se incidenti kishte ndodhur më 1 nëntor, nëna është paraqitur në Stacionin Policor të Kamenicës katër ditë më vonë, më 5 nëntor, rreth orës 16:00, ku ka denoncuar vajzën e saj.
Pas pranimit të denoncimit, Policia ka njoftuar Prokurorinë e Shtetit për rrethanat e rastit.
Me udhëzim të Prokurorisë, është iniciuar rast për veprën penale “Dhuna në familje”, ndërsa lënda i është referuar njësisë përkatëse të hetimeve për procedim të mëtejshëm.
Në informacionet fillestare nuk bëhet e ditur nëse ndaj 24-vjeçares është marrë ndonjë masë ndalimi.
Hetimet vazhdojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të incidentit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali