
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar se deficiti tregtar vazhdon të jetë një ndër problemet kryesore të ekonomisë së vendit, pavarësisht rritjes ekonomike të shënuar.
Ai i bëri këto deklarata gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit për zhvillimin e Eko-Parqeve Industriale në Kosovë, transmeton Klankosova.tv
“Përkundër rritjes ekonomike që kemi shënuar, na duhet të pranojmë që deficiti tregtar mbetet një nga sfidat kryesore të ekonomisë sonë. Gjatë vitit 2025, Kosova importoi mallra në vlerë prej shtatë miliardë eurosh, ndërsa eksportoi rreth një miliard euro. Edhe në vitin 2026, pavarësisht rritjes së eksportit, hendeku tregtar po vazhdon të jetë i madh”, ka deklaruar ai, raporton EO.
Kurti ka theksuar se zhvillimi i ekonomisë qarkore dhe rritja e konkurrueshmërisë janë ndër prioritetet e programit të tij qeverisës.
“Shtylla e parë e programit tonë qeverisës i kushtohet ekonomisë qarkore dhe konkurruese. Prandaj, nisja e projektit për zhvillimin e parqeve eko-industriale është në linjë të plotë me orientimin tonë strategjik dhe lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si do të zhvillohet industria dhe ekonomia e Republikës sonë në vitet në vijim”, ka thënë ndër të tjera Kurti.