Shabani: BDI nuk ka kredibilitet të flasë për përfaqësimin e shqiptarëve në Akademinë Ushtarake

Shabani: BDI nuk ka kredibilitet të flasë për përfaqësimin e shqiptarëve në Akademinë Ushtarake

Written by

in

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Admir Shabani, ka reaguar ndaj akuzave të BDI-së lidhur me përfaqësimin e shqiptarëve në Akademinë Ushtarake të Maqedonisë së Veriut, duke thënë se kjo parti nuk ka kredibilitet të ngrejë këtë çështje, pasi sipas tij, gjendja aktuale është trashëguar nga qeverisjet e mëparshme.

Shabani ka rikujtuar se Talat Xhaferi ka qenë zëvendësministër i Mbrojtjes nga viti 2004 deri në vitin 2006, periudhë gjatë së cilës Akademia Ushtarake ishte vendosur nën moratorium dhe nuk kishte pranuar studentë të ciklit të parë deri në vitin 2008. Ai gjithashtu ka theksuar se Xhaferi ka qenë ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e Nikolla Gruevskit, nga viti 2013 deri në vitin 2014.

Sipas Shabanit, edhe gjatë mandatit të fundit të LSDM-së, kur Xhaferi ishte kryetar i Kuvendit dhe më pas kryeministër teknik, në konkurset e Akademisë Ushtarake aplikonin çdo vit vetëm një ose dy kadetë shqiptarë.

“BDI-ja nuk ka kredibilitet të flasë për pjesëmarrjen e shqiptarëve si kadetë në Akademinë Ushtarake”, ka deklaruar Shabani.

Ai ka pranuar se trendi i rënies së numrit të kandidatëve shqiptarë është shqetësues, por ka theksuar se kjo çështje nuk mund të zgjidhet brenda natës dhe kërkon një qasje sistematike, duke filluar që nga orientimi i të rinjve në shkollat e mesme.

Shabani ka thënë se në disa raste ka bërë thirrje publike që kandidatët shqiptarë të aplikojnë në Akademinë Ushtarake, pasi, sipas tij, edhe gjatë qeverisjes së BDI-së numri i aplikuesve shqiptarë ishte shumë i ulët.

Ai ka bërë thirrje për sensibilizim të vazhdueshëm të të rinjve dhe prindërve, në mënyrë që Akademia Ushtarake të shihet si mundësi për karrierë, përfaqësim dhe kontribut në institucionet shtetërore.

Në fund, Shabani i ka bërë thirrje BDI-së që të ndalojë, siç i ka cilësuar ai, manipulimet dhe përpjekjet për të krijuar përshtypjen se shqiptarët po diskriminohen vetëm tani që kjo parti ndodhet në opozitë.