
Komisioni Evropian ka hapur negociatat për përfshirjen e Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Bosnjë e Hercegovinës dhe Serbisë në regjimin e Bashkimit Evropian “Roam Like at Home”, i cili mundëson përdorimin e telefonisë mobile pa tarifa shtesë të roamingut.
Ky hap vjen pas paralajmërimit të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj në Ballkanin Perëndimor në tetor të vitit 2026.
Zgjerimi i këtij regjimi do t’u mundësojë qytetarëve që udhëtojnë mes vendeve të Bashkimit Evropian dhe atyre të Ballkanit Perëndimor të kryejnë telefonata, të dërgojnë mesazhe dhe të përdorin internetin mobil pa pagesa shtesë për roaming.
Sipas njoftimit për media, Komisioni Evropian ka bërë të ditur se tashmë kanë nisur negociatat dypalëshe me partnerët e rajonit.
Pas përfundimit të marrëveshjeve dhe përafrimit të plotë të vendeve të Ballkanit Perëndimor me rregullat e BE-së për roamingun, Komisioni do t’i kërkojë Këshillit të Bashkimit Evropian që ta zgjerojë përkatësisht zonën e roamingut të BE-së.
Në qershor të vitit 2026, Këshilli i BE-së kishte autorizuar nisjen e bisedimeve për zgjerimin e këtij regjimi edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Marrëveshjet do të bazohen në Marrëveshjet ekzistuese të Stabilizim-Asociimit, të cilat synojnë të mbështesin stabilitetin e rajonit, integrimin ekonomik dhe forcimin e bashkëpunimit me Bashkimin Evropian. /Klankosova.tv