Poezi nga: Li-Young Lee
Përktheu: Irena Dono
I shkula edhe qepët e reja të fundit të vitit;
Kopshti është i zbrazët tani;
Toka është e ftohtë, kafe dhe e vjetër.
Çfarë ka mbetur te panjat në cep të syrit tim nga flaka e ditës?
Kthehem, një zog këngëtar zhduket.
Pranë derës së qilarit laj qepët,
më pas pi ujë nga rubineti metalik i akullt.
Një herë, vite më parë, ecja pranë babait mes dardhave të rrëzuara nga era. Fjalët nuk më kujtohen. Mund të kemi shëtitur në heshtje. Por ende e shoh atë të përkulë dorën e majtë të mbërthyer në gju, duke e kërcitur për ta ngritur dhe mbajtur para syrit tim një dardhë të kalbur.
Një grerëz rrotullohej çmendurisht, e lyer me lëng të ngadaltë e të ndritshëm.
Ishte babai im ai që pashë këtë mëngjes, duke më bërë me dorë nga pemët. Mënt i thirra, teksa po afrohesha dhe më zunë sytë lopatën,
të mbështetur atje ku e kisha lënë, në hijen e gjelbër përdredhëse e të thellë.
Oriz i bardhë në avull, pothuajse gati. Bizele të ëmbla gjelbërane, të fërguara në qepë.
Karkaleca të zier në vaj susami dhe hudhër. Dhe unë në vetminë time.
Çfarë mund të doja më shumë unë, një djalë i ri?!