
Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) pritet të dalin në protestë më 12 nëntor.
Protesta, sipas Sindikatës së Re të KEK-ut, ka të bëjë me pakënaqësitë me pagat dhe kërkesat e papërmbushura nga menaxhmenti.
Kryesia e Sindikatës së Re të KEK-ut, në mbledhjen e mbajtur më 06.11.2026, bëri me dije se vendimi për organizimin e protestës paqësore është marrë me vota unanime.
Kërkesa e Sindikatës ka të bëjë me rritjen dhe nivelizimin e pagave, si dhe me realizimin e pagës së 13-të për të gjithë punëtorët.
“Protesta organizohet si rezultat i mosshqyrtimit dhe mosadresimit të kërkesave të punëtorëve të KEK-ut, të cilat Sindikata e Re – KEK ia ka drejtuar Menaxhmentit dhe Bordit të KEK-ut më 19.10.2026”.
“Përmes kësaj proteste, kërkojmë: Ngritjen dhe nivelizimin e pagave për të gjithë punëtorët e KEK-ut, dhe realizimin e pagës së 13-të për të gjithë punëtorët e KEK-ut”.
“Kjo protestë do të organizohet në mënyrë paqësore dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës”, u tha në njoftimin e kësaj Sindikate.
Sindikatës së Re – KEK tha se mbetet e hapur dera e dialogut në çdo kohë. Megjithatë, thanë se presin që kërkesat e tyre të trajtohen me seriozitet dhe përgjegjësi institucionale, “në interes të punëtorëve dhe të Korporatës Energjetike të Kosovës”.
Protesta pritet të mbahet më 12 nëntor, nga ora 11:00, para objektit të Toskanës në Prishtinë. /Klankosova.tv