
Dhjetë persona, përfshirë një të mitur që ndodhej në burg për vizitë, kanë humbur jetën dhe 16 të tjerë janë plagosur pas përleshjeve të dhunshme në një burg në Mazatlan, në shtetin Sinaloa të Meksikës.
Ngjarja ndodhi të enjten, më 8 tetor, kur forcat e sigurisë u detyruan të ndërhynin me trupa të shumta ushtarake dhe policore për të rikthyer kontrollin në institucionin korrektues.
Ministri i Sigurisë Publike të Sinaloas, Sinue Tejes, bëri të ditur se në mesin e viktimave janë nëntë të burgosur dhe një i mitur që kishte shkuar për vizitë. Ndërkohë, 16 të burgosur të tjerë kanë mbetur të plagosur dhe janë dërguar për trajtim mjekësor.
Gjatë operacionit, dhjetëra pjesëtarë të armatosur të forcave të sigurisë hynë në burg, ndërsa në zonë u vendosën automjete të blinduara dhe ambulanca.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë dhënë detaje të plota për shkaqet e përleshjeve dhe rrethanat e vdekjes së të miturit.
Pas rikthimit të kontrollit, vizitat në burg u pezulluan përkohësisht, ndërsa prokuroria ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Dhuna shpërthen në një burg në Meksikë, 10 të vdekur dhe 16 të plagosur appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali