
Ish-kancelari gjerman, Gerhard Schröder, ka marrë pjesë në festimin e ditëlindjes së 74-t të presidentit rus, Vladimir Putin, në Moskë, ka bërë të ditur Kremlini.
Sipas njoftimit të publikuar nga Kremlini në Telegram, Putini kishte mësuar për praninë e Schröderit në kryeqytetin rus nga mediat, të mërkurën në mëngjes, përpara se ta ftonte ish-kancelarin në shtëpinë e tij.
Schröder udhëtoi drejt Moskës pas emërimit të tij në bordin mbikëqyrës të rrjetit rus të shitjes me pakicë Hyperglobus, ku pritet të kontribuojë në menaxhimin e përgjithshëm dhe zhvillimin strategjik të kompanisë në Rusi.
Të mërkurën, 82-vjeçari u prit me duartrokitje nga punonjësit e një dege të Hyperglobusit në Moskën perëndimore. Në pamjet e transmetuara nga televizioni RBC, ai shihet duke përshëndetur stafin dhe duke shprehur kënaqësinë për vizitën.
Schröder është kritikuar prej vitesh për lidhjet e tij të ngushta me Putinin dhe bizneset ruse, të cilat kanë vazhduar edhe pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022 dhe vendosjes së sanksioneve perëndimore ndaj Moskës.
Ai shërbeu si kancelar i Gjermanisë nga viti 1998 deri më 2005 dhe, pas largimit nga detyra, punoi për kompani shtetërore ruse. Edhe pas nisjes së luftës në Ukrainë, ish-kancelari është takuar disa herë me presidentin rus.
Ndërkohë, Hyperglobus u nda nga kompania gjermane Globus Holding vitin e kaluar, në një kohë kur autoritetet ruse po shtojnë përpjekjet për të marrë kontrollin mbi asetet e kompanive të huaja që operojnë në vend.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Putini fton ish-kancelarin gjerman në ditëlindjen e tij, përqafohen ngrohtësisht appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali