Faza e tretë e sistemit të ujitjes “Strajshtë”, me vlerë prej 25 milionë eurosh, do të përfshijë 1.500 hektarë tokë bujqësore dhe do të plotësojë nevojat e rreth 6.000 bujqve, theksoi ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Borçe Serafimovski, në ngjarjen e sotme me të cilën u shënua fillimi i realizimit të investimit në vendbanimin Piravë, Komuna e Vallandovës.
“Kjo infrastrukturë do të mundësojë zbatimin e sistemit të ujitjes pikë-pikë, dozimin më të saktë dhe shfrytëzimin më ekonomik të ujit. Për prodhuesit kjo do të thotë kontroll më i madh mbi kultivimin e kulturave bujqësore dhe kushte për rendimente më stabile dhe prodhim me cilësi më të lartë, veçanërisht gjatë periudhave të thata të vitit”, tha ministri Serafimovski.
Ai informoi se projekti parashikon ndërtimin e 70 kilometrave rrjet gypash nën presion, vendosjen e rreth 500 hidranteve dhe ndërtimin e një stacioni të ri pompash.
“Në kuadër të projektit janë paraparë mbështetje këshilluese dhe trajnime praktike. Bujqit do të marrin rekomandime profesionale për përdorimin efikas të sistemit dhe përshtatjen e ujitjes sipas karakteristikave dhe lagështisë së tokës, kushteve atmosferike dhe nevojave të kulturave. Në këtë mënyrë, investimi në infrastrukturë do të mbështetet edhe me njohuri që do t’i ndihmojnë bujqit t’i shfrytëzojnë më mirë mundësitë e saj”, theksoi Serafimovski.
Ai shtoi se Qeveria, përmes këtij projekti, mbështet investimet afatgjata në fermat bujqësore, ndërsa prodhimi më i qëndrueshëm do të krijojë hapësirë për fitime më të mira për bujqit dhe për zhvillimin e përpunimit, magazinimit dhe tregtisë, me përfitime më të gjera ekonomike për të gjithë rajonin e Vallandovës.
Sistemi i ujitjes “Strajshtë” mbështetet në dy fazat e para të projektit “Lugina e Vardarit” dhe paraqet vazhdim të partneritetit me bankën gjermane për zhvillim KfW.
Në këtë ngjarje morën pjesë edhe kryeministri, prof. dr. Hristijan Mickoski, si dhe kryetari i Komunës së Vallandovës, Gjoko Kamçev.