
Komisioni Evropian ka ngritur akuza ndaj platformës TikTok për dështimin në mbrojtjen e shëndetit mendor të përdoruesve, duke vlerësuar se algoritmi i saj i ekspozon ata ndaj një rrjedhe të vazhdueshme të përmbajtjeve që mund të përkeqësojnë ankthin dhe çrregullimet e të ushqyerit.
Në një vlerësim paraprak të publikuar të premten, rregullatori evropian ka konstatuar se algoritmi i TikTok-ut “mund të jetë i dëmshëm”, pasi i orienton përdoruesit e rinj dhe personat më të cenueshëm drejt përmbajtjeve të përsëritura, prej të cilave nuk mund të largohen lehtësisht.
Sipas Komisionit Evropian, platforma me pronësi kineze, e cila numëron 189 milionë përdorues në Bashkimin Evropian, nuk ka arritur të parandalojë ekspozimin e vazhdueshëm ndaj përmbajtjeve që lidhen me imazhin trupor, dietat dhe izolimin. Këto materiale, edhe kur veçmas nuk përbëjnë problem, mund të kenë pasoja negative kur përdoruesit ekspozohen vazhdimisht ndaj tyre.
Hetimi ka zbuluar se masat mbrojtëse të TikTok-ut për të parandaluar të ashtuquajturin “efektin e rrugës pa krye” nuk janë efektive. Ky fenomen ndodh kur algoritmi u rekomandon përdoruesve përmbajtje gjithnjë e më të ngjashme, me qëllim që t’i mbajë sa më gjatë aktivë në platformë.
Edhe kur përdoruesit zgjedhin opsionin “Nuk më intereson” në videot që lidhen me mënyrën e të ushqyerit, algoritmi vazhdon t’u shfaqë materiale të ngjashme për dietat dhe imazhin trupor. Po ashtu, rifreskimi i faqes ofron vetëm një ndërprerje të shkurtër nga përmbajtjet e së njëjtës temë.
“Sa herë që një përdorues lëviz nëpër video ose pëlqen një të tillë në TikTok, algoritmi i shfaq më shumë përmbajtje të ngjashme, duke i çuar përdoruesit në rrugë pa krye, prej të cilave nuk mund të dalin lehtësisht”, ka deklaruar Henna Virkkunen, zyrtarja kryesore e Komisionit Evropian për politikat teknologjike.
“TikTok duhet të shtojë përpjekjet për të mbrojtur mirëqenien e përdoruesve, përfshirë të miturit”, ka theksuar ajo.
Në anën tjetër, kompania i ka kundërshtuar gjetjet e Komisionit Evropian, duke i cilësuar deklaratat e këtij institucioni si të pasakta.
“Komisioni ka bërë një sërë deklaratash që janë thelbësisht të pasakta dhe shtrembërojnë mënyrën se si funksionon platforma jonë dhe përkushtimin tonë ndaj sigurisë së përdoruesve.
Ne kemi një histori të fortë në mbrojtjen e komunitetit tonë, duke u ofruar përdoruesve kontroll të drejtpërdrejtë dhe intuitiv mbi përmbajtjet që shohin”, ka deklaruar një zëdhënës i TikTok-ut.
Kompania pretendon se politikat e saj ndalojnë përmbajtjet që promovojnë çrregullime të të ushqyerit dhe sjellje të rrezikshme për menaxhimin e peshës. Sipas saj, më shumë se 79 milionë përdorues në BE kanë përdorur opsionin “Nuk më intereson” ose filtrat e fjalëve kyçe për të larguar përmbajtjet e padëshiruara gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2026.
Gjetjet e hetimit janë mirëpritur nga Fondacioni Molly Rose, i themeluar në kujtim të 14-vjeçares Molly Russell, e cila humbi jetën në vitin 2017 pasi ishte ekspozuar ndaj përmbajtjeve të dëmshme në internet.
Fondacioni i ka cilësuar këto gjetje si historike, duke kërkuar që TikTok të mbahet përgjegjës për mënyrën se si algoritmi i tij mund t’i orientojë të rinjtë drejt përmbajtjeve të dëmshme.
Një anketë e realizuar për këtë organizatë në fillim të këtij viti kishte zbuluar se pothuajse gjysma e vajzave dhe një e treta e të gjithë adoleshentëve në Mbretërinë e Bashkuar ishin ekspozuar brenda një jave ndaj përmbajtjeve për vetëvrasjen, vetëlëndimin dhe çrregullimet e të ushqyerit në rrjetet sociale.
Ndërkohë, hetimi i BE-së prek drejtpërdrejt modelin e biznesit të TikTok-ut, i cili bazohet në mbajtjen e përdoruesve sa më gjatë duke shikuar përmbajtje në platformë. Për këtë arsye, zyrtarët evropianë kërkojnë ndryshime në funksionimin e rubrikës “For You”, në mënyrë që përdoruesit të kenë më shumë kontroll mbi videot që u rekomandohen.
Ky hetim është pjesë e një procesi më të gjerë, të nisur në shkurt të vitit 2024 në kuadër të Aktit për Shërbimet Digjitale (DSA), i cili i obligon kompanitë e mëdha të internetit të marrin masa për parandalimin e dëmeve të ndryshme, përfshirë dezinformimin dhe ndikimin negativ në shëndetin mendor.
Komisioni Evropian më herët kishte konstatuar se TikTok kishte shkelur rregullat e BE-së lidhur me dizajnin varësues të platformës, përfshirë funksionin e lëvizjes së pafundme të përmbajtjeve.
TikTok tashmë ka mundësinë të shqyrtojë dosjen e hetimit dhe të paraqesë mbrojtjen e tij. Kompania mund të pranojë të ndryshojë sistemin e rekomandimit të përmbajtjeve për të shmangur një gjobë.
Nëse gjetjet paraprake konfirmohen, platforma mund të përballet me një gjobë deri në 6 për qind të qarkullimit të saj vjetor global.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali