Kaosi shpërthen sërish te Reali: Përplasje fizike mes dy yjeve, tensione edhe mes Mourinhos dhe Mbappes

Written by

in

Jose Mourinho raportohet se ende nuk ka arritur ta qetësojë atmosferën në dhomat e zhveshjes së Real Madridit, ku së fundmi dy lojtarë, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë, janë përplasur fizikisht.

Trajneri portugez u rikthye në krye të madrilenëve gjatë verës, me synimin për të vendosur disiplinë në një skuadër që sezonin e kaluar u përball me probleme të shumta të brendshme.

Real Madridi e mbylli sezonin 2025/26 pa trofe, duke përfunduar pas Barcelonës në La Liga, si dhe duke u eliminuar nga Liga e Kampionëve në çerekfinale dhe nga Kupa e Mbretit në fazën e 1/8 së finales.

Tensionet arritën kulmin kur Aurelien Tchouameni dhe Federico Valverde u gjobitën me nga 500 mijë euro pas një përleshjeje gjatë stërvitjes.

Megjithatë, sipas radios spanjolle “Cadena SER”, atmosfera në dhomat e zhveshjes vazhdon të jetë “e akullt”, pavarësisht përpjekjeve të Mourinhos për të vendosur rregulla më të rrepta.

Në qendër të diskutimeve është edhe Kylian Mbappe, i cili sezonin e kaluar kishte shkaktuar pakënaqësi për shkak të mungesave në disa ndeshje të rëndësishme.

Francezi është kritikuar sërish pasi vizitoi një klub nate në Paris me të dashurën e tij dhe më pas publikoi video duke çikluar në Alpe, pasi kishte refuzuar grumbullimin me Kombëtaren e Francës për shkak të një dëmtimi.

Ky veprim shihet si problematik edhe për shkak të rregullave të Mourinhos, i cili ua ka ndaluar lojtarëve çiklizmin, nga frika e lëndimeve që mund t’i mbajnë jashtë fushës.

“Je futbollist 24 orë në ditë. Gjithçka lidhet me profesionin. Çfarë ha, çfarë pi, si fle, madje edhe gjërat në jetën private. Nuk mund të bësh ski. Nuk mund të ngasësh biçikletë”, kishte deklaruar më herët Mourinho.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Kaosi shpërthen sërish te Reali: Përplasje fizike mes dy yjeve, tensione edhe mes Mourinhos dhe Mbappes appeared first on Sinjali.

Burimi: Sinjali