Tre investitorë amerikanë shprehin interesim për ndërtimin e Spitalit të Kryeqytetit

Tre investitorë amerikanë shprehin interesim për ndërtimin e Spitalit të Kryeqytetit

Written by

in

Komuna e Prishtinës është në bisedime me tre investitorë amerikanë, të cilët kanë shprehur interesim për financimin dhe ndërtimin e Spitalit të Kryeqytetit. Lajmin e ka bërë të ditur drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, në emisionin “Shëndeti Sot” të KosovaPress-it.

Gashi ka treguar se projekti për ndërtimin e spitalit tashmë është përgatitur, studimi i fizibilitetit është përfunduar dhe lokacioni është përcaktuar. Megjithatë, realizimi i tij ende nuk ka nisur, pasi projekti është në pritje të miratimit nga niveli qendror.

Sipas tij, Komuna e Prishtinës po shqyrton edhe mundësinë e realizimit të projektit përmes investimeve private, ndërsa kontaktet me tre investitorët amerikanë kanë nisur në kuadër të konferencës së investitorëve të organizuar nga kryetari i kryeqytetit.

“Janë diku rreth tre investitorë të cilët janë lajmëruar si të interesuar për të investuar në Spitalin e Kryeqytetit. Sa e di, kabineti i kryetarit është në komunikim të vazhdueshëm me ta”, ka deklaruar Gashi.

Ai ka bërë të ditur se lokacioni për ndërtimin e spitalit është miratuar edhe nga Kuvendi Komunal i Prishtinës, duke theksuar se tashmë janë krijuar kushtet për të vazhduar me hapat e tjerë drejt realizimit të projektit.

Gashi ka shprehur shpresën se bashkëpunimi me investitorët amerikanë do të mundësojë konkretizimin e projektit, pa u varur vetëm nga vendimmarrja e institucioneve qendrore.

Prishtina aktualisht nuk ka një spital të përgjithshëm rajonal, çka e bën ndërtimin e një institucioni të tillë të rëndësishëm për ofrimin e shërbimeve shëndetësore për banorët e kryeqytetit dhe qytetarët e komunave përreth.

Megjithatë, deri më tani nuk janë bërë të ditura detaje konkrete për vlerën e investimit, identitetin e investitorëve apo afatet e mundshme për nisjen e punimeve. /Kp/