
Një depozitim i zakonshëm i parave nga rrjeti tregtar “Viva Fresh Store” në TEB Bank ka përfunduar me dyshime për falsifikim të parasë dhe përfshirjen e organeve të hetuesisë. Gjatë përpunimit të shumës së deponuar, pajisjet bankare kanë identifikuar një kartëmonedhë prej 20 eurosh dhe monedha metalike në vlerë prej shtatë eurosh, për të cilat dyshohet se nuk janë autentike. Paratë janë sekuestruar për ekzaminim, ndërsa Prokuroria ka urdhëruar inicimin e rastit penal.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se rasti është raportuar të premten, më 6 nëntor 2026, rreth orës 11:00, në Stacionin Policor “Qendra” në Prishtinë.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, në Polici është paraqitur F. P., përfaqësues i TEB Bank, i cili ka raportuar zbulimin e parave të dyshimta gjatë procesimit bankar.
Bëhet fjalë për një kartëmonedhë prej 20 eurosh dhe monedha metalike me vlerë të përgjithshme prej shtatë eurosh, gjithsej 27 euro të dyshuara si të falsifikuara.
Sipas deklarimit të përfaqësuesit të bankës, këto para ishin identifikuar gjatë përpunimit të një depozitimi të bërë nga “Viva Fresh Store”.
Zbulimi është bërë përmes makinave për përpunimin e parave, të cilat kanë evidentuar dyshimet për autenticitetin e kartëmonedhës dhe monedhave.
Pas raportimit, në rast është përfshirë njësia e forenzikës e Stacionit Policor “Qendra”, e cila ka sekuestruar paratë e dyshimta për ekzaminim të mëtejshëm.
Për rastin është njoftuar Prokuroria e Shtetit, e cila ka udhëzuar inicimin e procedurës penale për veprën “Falsifikimi i parasë”.
Deri në këtë fazë nuk është identifikuar ndonjë person i dyshuar për falsifikimin apo vënien në qarkullim të parave.
Po ashtu, fakti që paratë janë evidentuar në një depozitim të “Viva Fresh Store” nuk nënkupton se kompania apo punonjësit e saj kanë pasur dijeni për falsifikimin e mundshëm.
Hetimet dhe ekzaminimi përkatës pritet të sqarojnë nëse paratë janë vërtet të falsifikuara dhe rrethanat në të cilat kanë hyrë në qarkullim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali