Presidenti i Paraguajit, Santiago Peña, është shkarkuar nga detyra dhe është vendosur në arrest shtëpiak, pas krizës së shkaktuar nga kolapsi i bankës digjitale Ueno Bank, e cila la rreth tre milionë depozitues pa qasje në kursimet e tyre.
Vendimi për shkarkimin e tij u mor të premten, pasi 44 nga 45 senatorët votuan pro shkarkimit, ndërsa një deputet mungoi në seancë. Në mesin e atyre që mbështetën vendimin kishte edhe anëtarë të partisë së vetë presidentit.
Peña kishte ofruar dorëheqjen një ditë më parë, por Senati vendosi të mos e pranonte atë, duke proceduar me shkarkimin dhe ngritjen e akuzave për shkelje të detyrës. Si pasojë, ai ka humbur edhe imunitetin që zakonisht u takon ish-presidentëve.
Akuzat ndaj tij lidhen me konfliktin e interesit, ndërhyrjen në mbikëqyrjen rregullatore, devijimin e fondeve pensionale dhe përpjekjet për të mbuluar përgjegjësitë institucionale në bashkëpunim me bankën qendrore.
Prokurorja Silvia Margarita Gonzalez Vester ka bërë të ditur se Peña pritet të merret në pyetje të shtunën lidhur me dyshimet për shkelje të besimit, ushtrim të ndikimit të paligjshëm dhe keqpërdorim të fondeve.
Presidenti i shkarkuar i ka mohuar të gjitha akuzat. Ai kishte qenë aksionar në kompaninë që zotëronte bankën deri vitin e kaluar.
Ndërkohë, zëvendëspresidenti Pedro Alliana është betuar si president i përkohshëm i vendit dhe do ta ushtrojë këtë detyrë deri në vitin 2028.
Në deklaratën e tij të parë, Alliana është zotuar se qytetarët e prekur nga kolapsi financiar nuk do të braktisen.
“Bashkëqytetarët tanë që po kalojnë një periudhë të vështirë si pasojë e kolapsit financiar do të kompensohen plotësisht”, ka deklaruar ai.
Rënia e Ueno Bank shkaktoi reagime të mëdha në vend, pasi rreth tre milionë depozitues mbetën pa mundësi të tërheqin kursimet dhe pensionet e tyre, duke shkaktuar pakënaqësi të madhe publike.
Të martën dhe të mërkurën, para degëve të bankës në kryeqytetin Asunción u krijuan radhë të gjata të qytetarëve që tentonin të tërhiqnin paratë e tyre.
Të enjten, mijëra persona dolën në protesta në qytete të ndryshme të vendit, duke kërkuar kthimin e kursimeve. Disa nga protestat e mëhershme ishin shoqëruar edhe me përleshje me policinë, e cila përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për shpërndarjen e turmave.
Në një video të publikuar në rrjetin social X, Peña kishte deklaruar se nuk kishte pasur kurrë për qëllim të tradhtonte besimin e qytetarëve që e kishin votuar.
Ai kishte thënë se përparësi e tij ishte “qetësia shpirtërore e paraguajanëve që ua besuan kursimet sistemit tonë financiar”.
Pas votimit, kryetari i Senatit, Basilio Núñez, deklaroi se Peña ishte shpallur fajtor për neglizhencë në përmbushjen e detyrave të tij.
Burimi: Dukagjini
