Renault zhvillon një automjet ushtarak pa ekuipazh

Renault zhvillon një automjet ushtarak pa ekuipazh

Written by

in

Kompania franceze Renault, në bashkëpunim me kompaninë belge John Cockerill, po zhvillon një automjet elektrik ushtarak pa ekuipazh, i cili mund të kontrollohet nga distanca dhe të kryejë misione në terrene të rrezikshme.

I quajtur Forefront, automjeti është projektuar për të mbështetur operacionet ushtarake, transportin e pajisjeve, mbikëqyrjen, zbulimin dhe evakuimin, pa rrezikuar drejtpërdrejt jetën e ushtarëve.

Platforma elektrike ka tërheqje në të katër rrotat, mund të bartë ngarkesë deri në një ton dhe ka autonomi të parashikuar prej rreth 400 kilometrash. Gjithashtu, është projektuar për të përballuar terrene të vështira dhe pjerrësi deri në 60 për qind.

Përveç përdorimit ushtarak, Forefront mund të shërbejë edhe në operacionet e shpëtimit, ndërhyrjet në zona të rrezikshme dhe logjistikë.

Projekti përfshin edhe zhvillimin e funksioneve autonome, të cilat në të ardhmen do t’i mundësonin automjetit të lëvizte pa ndërhyrjen e një operatori.

Testimet e para në terren pritet të zhvillohen gjatë javëve të ardhshme, në bashkëpunim me Forcat e Armatosura të Francës. Ende nuk është bërë e ditur se kur mund të nisë prodhimi serik i automjetit. /Telegrafi/