
Një shumë prej mbi 500 mijë eurosh vetëm në emër të kamatave thotë se e ka paguar B.Ç., i cili pretendon se për disa vite kishte marrë para me fajde nga Eduard Kaçinari në Prizren.
Në deklaratën e dhënë në Prokurori, B.Ç. ka thënë se dëmi i shkaktuar ndaj tij, duke përfshirë edhe borxhin kryesor, arrinte në rreth 750 mijë euro.
Sipas deklarimit të tij, për t’i paguar kamatat kishte marrë kredi në emrin e tij dhe të babait, në vlerë të përgjithshme prej 150 mijë eurosh. Ndërsa, mbi 250 mijë euro të tjera thotë se i kishte marrë borxh nga familjarët dhe miqtë.
“Kam marrë kredi në emrin tim dhe në emrin e babait, në shumë totale prej 150.000 euro […] dhe mbi 250.000 euro kam marrë nga familjarë, miq, borxh, nga e cila shumë gradualisht kam paguar kamatat te Eduardi”, ka deklaruar B.Ç.
Ai ka treguar se paratë nga familjarët i kishte marrë në shuma të ndryshme, kryesisht nga 5 mijë dhe 10 mijë euro, ndërsa shuma më e madhe që kishte marrë ishte 20 mijë euro.
Në të njëjtën deklaratë, B.Ç. ka rrëfyer edhe për një borxh prej 80 mijë eurosh që kishte marrë përmes shokut të tij B.B., me kamatë mujore prej 10 për qind. Kjo nënkuptonte pagesën prej 8 mijë eurosh çdo muaj.
Ai ka deklaruar se këtë kamatë e kishte paguar për tetë ose nëntë muaj, përmes B.B.-së, i cili më pas ia dorëzonte personit që i kishte dhënë paratë.
Sipas aktakuzës, Prokuroria pretendon se B.Ç. kishte paguar gjithsej 64 mijë euro kamata për këtë borxh prej 80 mijë eurosh, ndërsa më vonë, për borxhin dhe kamatat, atij iu kërkuan 200 mijë euro.
Përveç kësaj, sipas deklarimit të B.Ç., për një borxh tjetër prej 170 mijë eurosh, Eduard Kaçinari i kishte kërkuar 350 mijë euro, duke e çuar shumën e kërkuar në 550 mijë euro.
B.Ç. ka deklaruar se, në pamundësi për t’i paguar këto para, ishte vënë në diskutim bartja e pronës së tij, përfshirë shtëpinë dhe lokalet.
Prokuroria e ngarkon Eduard Kaçinarin për fajde dhe detyrim, ndërsa Eduard dhe Anton Kaçinari akuzohen edhe për fajde në lidhje me borxhin prej 80 mijë eurosh të marrë përmes B.B.
Nga Anton Kaçinari ishin sekuestruar gjithashtu para të gatshme në disa valuta, dokumente kadastrale dhe një fletë me shënimet: “120.000, kësti 1.214.37, total kamata 25.724.4”.
Si e kishte kërcënuar viktimën Eduard Kaçinari?
Prokuroria njoftoj se E.K. dhe A.K., përfitimin e kundërligjshëm të dobisë pasurore, e kanë kërkuar duke përdorur edhe forcë dhe kanosje ndaj viktimave, duke i detyruar të shkojnë te përmbaruesi privat për procedurat noteriale, por policia ka ndërhyrë dhe i ka arrestuar.
Nga viti 2021, në vazhdimësi në Prizren, i pandehurit Eduard Kaçinari, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, përdor kanosjen serioze për të detyruar personin tjetër – të dëmtuarin që të kryej veprime në dëm të pasurisë së tij, në atë mënyrë që pasi i dëmtuari nuk arrin që t’ia paguaj kamatat, i pandehuri me anë të presionit dhe kanosjeve serioze – direkte arrin ta detyroj të dëmtuarin që të paguaj kamatat dhe të mos e raportoj rastin në polici, në të kundërtën e kërcënim me fjalët se
“nëse e lajmëron rastin në polici, ta vras djalin, babën, vëllezërit dhe krejt familjen”, veprime këto të cilat i përsërit disa herë madje me raste të shpeshta me revole në dorë duke i bërë me dije se “unë mund të hy në burg, rri 3 – 4 vjet po kur të dal të vrasë ty dhe familjen sepse unë kam pare edhe dal nga burgu”, hera e fundit kur viktima pranon kanosje, ishte data 08.03.2026 në orët e mbrëmjes, në bodrumin e shtëpisë së viktimës i cili ndodhet poshtë lokaleve, si rrjedhojë e këtyre veprimeve të përsëritura, viktimës i ka shkaktuar dëm pasuror, si dhe frikë, ankth, pasiguri dhe shqetësim për jetën e tij dhe të anëtarëve të familjes së tij.
Në këtë rast është përfshirë edhe Anton Kaçinari, i cili dyshohet se bashkë me Eduard Kaçinarin ka dhënë 80 mijë euro me kamatë mujore 10 për qind përmes një ndërmjetësi.
“Në datë të pacaktuar, gjatë vitit 2025, deri në fillimin e hetimeve dhe në vazhdimësi, në Prizren, në bashkëkryerje, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, kontraktojnë shuma dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit, duke shfrytëzuar pa përvojën dhe gjendjen financiare në të cilën ishin futur të dëmtuarit/viktimat, në atë mënyrë që pasi viktima nuk po mund t’ia dilte me pagesat e kamatave, kërkon nga shoku i tij që t’i gjej të holla, ky i fundit e paralajmëron që nuk ka të hollat të tija por e ka mundësinë që t’i marrë me kamata tek i pandehuri Anton Kaçinari, nga i cili në shuma të ndryshme merr 80,000 euro me kamatë mujore prej 10%, të cilat të holla ia dorëzon viktimës“, thuhet në dosjen e prokurorisë.
Sipas Prokurorisë, kërcënimet nuk kishin qenë vetëm verbale. Në aktakuzë pretendohet se në disa raste Kaçinari ishte paraqitur edhe me revole në dorë.
“Unë mund të hy në burg, rri 3–4 vjet po kur të dal të vrasë ty dhe familjen sepse unë kam pare edhe dal nga burgu”, është një tjetër deklaratë që Prokuroria ia atribuon të dyshuarit.
Prokuroria pretendon se këto veprime i kishin shkaktuar të dëmtuarit frikë, ankth dhe pasiguri për jetën e tij dhe të familjarëve.
Prokuroria ka kërkuar vazhdimin e paraburgimit për të dy të pandehurit, si dhe konfiskimin e përhershëm të sendeve dhe parave që pretendon se janë përfituar nga veprimtaria penale. Aktakuza ndaj Eduard dhe Anton Kaçinarit është ngritur më 4 nëntor 2026. Të dy akuzohen për fajde, ndërsa Eduard Kaçinari edhe për detyrim.
Lexo edhe:
Burimi: Insajderi