Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës në protestën e mbajtur në Prishtinë ku u kërkua drejtësi për Arlinda Zekajn, e cila u vra nga kunati i saj theksoi se kërkohet llogaridhënie nga qendrat për punë sociale sepse kanë përgjegjësi të qartë në mbrojtjen e grave dhe fëmijëve.
Ajo theksoi se nuk kërkojnë vetëm rritjen e numrit të punëtorëve socialë, por edhe investim serioz në ngritjen e kapaciteteve profesionale të tyre.
“Ata janë menaxher të rasteve të dhunës ndaj grave dhe duhet të dinë ta vlerësojnë rrezikun, ta planifikojnë sigurinë dhe ta koordinojnë mbrojtjen…”, tha ajo.
Tutje ajo tha se një grua nuk mund të largohet nga dhuna vetëm me guxim,
“Sepse një grua nuk mund të largohet nga dhuna vetëm me guxim. Nuk mund të mbrohet vetëm me një numër telefoni. Ajo ka nevojë për shërbime sociale, psikologjike, ligjore dhe ekonomike. Ka nevojë për profesionistë të përgatitur dhe institucione që veprojnë në kohë.
Si Rrjet i Grave të Kosovës, së bashku me organizatat e tjera, kemi kërkuar së paku dy punëtorë socialë shtesë në secilën komunë dhe katër në Prishtinë, për trajtimin e rasteve të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje. Sa kushton kjo? 444 mijë euro në vit nga buxheti i shtetit. A është kjo shumë e madhe për sigurinë e grave dhe fëmijëve”, tha ajo. /Telegrafi/