
Aleanca ka reaguar përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook, duke kritikuar qeverisjen për, siç thotë, shkelje të shumta institucionale, skandale financiare, nepotizëm dhe mungesë të llogaridhënies.
Në reagim thuhet se Kosova po e përmbyll edhe këtë javë nën një degradim institucional, ndërsa dështimet e qeverisë po rëndojnë drejtpërdrejt mbi qytetarët.
Aleanca e ka vënë theksin te reduktimet e energjisë elektrike në disa komuna, pavarësisht miliona eurove të shpenzuara për importin e rrymës. Sipas reagimit, mbi 11 milionë euro janë paguar brenda pesë ditëve pune për import të energjisë, ndërkohë që qytetarët po përballen sërish me mungesë të furnizimit dhe paralajmërime për shtrenjtim të tarifave.
Një tjetër çështje e ngritur nga Aleanca është ajo e emërimeve në shërbimin e jashtëm, të cilat i cilëson si nepotizëm partiak. Në reagim përmenden emërimet e familjarëve të zyrtarëve të pushtetit në ambasada, si dhe deklarata e ministrit të Jashtëm, Glauk Konjufca, se listat e emrave i dorëzohen për nënshkrim pa i shqyrtuar paraprakisht.
Aleanca ka kritikuar edhe sjelljen e deputetëve të Vetëvendosjes në Kuvend, duke i akuzuar për shmangie të llogaridhënies gjatë diskutimeve për gjetjet e Raportit të Auditorit të Përgjithshëm dhe për bllokimin e raportimit para Komisionit Hetimor Parlamentar për Zyrën e Kryeministrit.
Në reagim i referohet edhe Raportit të Progresit të Bashkimit Evropian, duke theksuar konstatimin për mungesë të përparimit në sistemin e drejtësisë dhe kritikat për luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë.
Ndërkaq, Aleanca ka ngritur shqetësimin edhe për protestat në Prishtinë pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë, duke kërkuar përgjegjësi institucionale dhe duke kritikuar heshtjen e krerëve të shtetit përballë kërkesave të qytetarëve për dorëheqjen e ministrave Xhelal Sveçla dhe Glauk Gërvalla.
Në përfundim të reagimit, Aleanca vlerëson se mungesa e përgjegjësisë dhe e reagimit nga udhëheqësit institucionalë dëshmon se ky pushtet ka humbur ndjeshmërinë dhe legjitimitetin për të qeverisur me vendin.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali