Lushaku Sadriu: Shteti është në mungesë, Raporti i Progresit evidenton zero progres në drejtësi (VIDEO)

Lushaku Sadriu: Shteti është në mungesë, Raporti i Progresit evidenton zero progres në drejtësi (VIDEO)

Written by

in

Lushaku Sadriu: Shteti është në mungesë, Raporti i Progresit evidenton zero progres në drejtësi (VIDEO)

Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku Sadriu, ka kritikuar Qeverinë për mungesën e rezultateve në fushën e drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit, duke komentuar gjetjet e Raportit të Progresit për Kosovën.

E ftuar në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ajo tha se raporti evidenton dështime në hallkat e sistemit të drejtësisë, njofton Klankosova.tv

Ajo tha se krizat politike janë reflektuar në vonesat për miratimin e ligjeve, por shqetësimi kryesor, sipas saj, është mungesa e zbatimit dhe dështimet në shumë fusha.

“Shteti është në mungesë. Shteti ka qenë në kriza politike të cilat janë reflektuar në në vonesa të miratimit të ligjeve, por ajo që është më shqetësuese është që ky raport i progresit sivjet konstaton moszbatimin dhe dështimin e shtetit tonë në shumë fusha”, deklaroi Lushaku-Sadriu.

Lushaku Sadriu tha se, pavarësisht reformave të proklamuara nga pushteti, pas gati shtatë vitesh rezultatet në këtë fushë mungojnë.

“Ky raporti konstaton që ka zero drejtësi, ka dështim të hallkave të drejtësisë duke filluar nga policia e deri tek vendimet për korrupsion të nivelit të lartë. domethënë konstaton dështime dhe mosprogres që i bie që gjithë goja e pushtetit për drejtësi është evaluuar pas shtatë vitesh, gati shtatë vitesh pushtet me zero progres. E çfarë kuptimi kanë reformat e proklamuara për aq kohë sa jepin zero progres? Këtu duhet me i përmend dështimet edhe sa i përket kompetencave të cilat ekskluzivisht kanë qenë kompetenca të qeverisë. Lufta kundër korrupsionit”.

“Sot Kosova pas shumë vitesh nuk ka arritur të ketë një strategji kundër korrupsionit. E zyra e kryeministrit është përgjegjësja kryesor për ta bërë këtë strategji. Kjo domethënë është një përgjegjësi krejt e qartë që bie direkt mbi zyrën e kryeministrit”, deklaroi Lushaku-Sadriu.

Deputetja e LDK-së kritikoi edhe mungesën e rezultateve konkrete nga reformat duke thënë se deklaratat nuk mjaftojnë pa ndryshime që ndikojnë në funksionimin e drejtësisë dhe rikthimin e besimit të qytetarëve në institucione.

Ajo foli edhe për rritjen e dhunës në shkolla, në familje dhe ndaj grave, duke pretenduar se femicidi është trefishuar gjatë vitit të fundit krahasuar me statistikat e mëparshme.

Sipas saj, mungesa e perspektivës ekonomike, mundësive për punësim dhe besimit në drejtësi po ndikon në largimin e të rinjve nga Kosova.

Lushaku Sadriu theksoi se përgjegjësia për situatën aktuale nuk mund t’i atribuohet vetëm krizave politike, pasi, sipas saj, Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti ka qenë në detyrë edhe gjatë kësaj periudhe.

Ajo vlerësoi se institucionet kanë pasur mundësi të vazhdojnë reformat dhe proceset e nevojshme.

“Askush s’e ka ndaluar me i ndërmarrë reformat e me i vazhdu proceset”, përfundoi Lushaku-Sadriu.