
Shkruan: Astrit Bunjaku
Individi mund t’i njohë kontradiktat e realitetit dhe përsëri të marrë pjesë në riprodhimin e tyre.
Pikërisht këtu qëndron një nga idetë më provokuese të Slavoj Žižekut: ideologjia nuk mbijeton vetëm falë padijes, por edhe përmes sjelljeve që vazhdojnë, pavarësisht vetëdijes sonë.
Në shoqërinë kosovare, pakënaqësia me institucionet, ekonominë dhe mungesën e
perspektivës është bërë pothuajse ritual; megjithatë, ankesa shpesh zë vendin e veprimit.
Për ta kuptuar këtë gjendje, duhet parë edhe trashëgimia e mbijetesës. Për shumë familje, sigurimi i ushqimit dhe i kushteve elementare ishte për dekada më urgjent sesa kultivimi intelektual.
Por rrethanat që dikur e pengonin edukimin nuk mund të mbeten përherë shpjegimi i mungesës së kuriozitetit. Komplekset e prejardhjes, të varfërisë apo të prindërve e gjyshërve të pashkolluar nuk kapërcehen duke u fshehur pas simboleve të pasurisë.
Pierre Bourdieu na ndihmon të kuptojmë se si kapitali ekonomik kthehet në prestigj shoqëror, ndërsa kapitali kulturor lihet në hije. Makina, veshja dhe dukja bëhen dëshmi publike të suksesit.
Schopenhaueri, ndërkohë, do të na kujtonte se dëshira e përmbushur lind dëshira të reja: konsumi mund ta shtyjë pakënaqësinë, por jo domosdoshmërisht ta shuajë atë. Individi kërkon jo vetëm të ketë më shumë, por të shihet se ka më shumë. Edhe kapitalizmi në Kosovë mbart këtë kontradiktë.
Përkrah ndërmarrësve që krijojnë vlerë përmes prodhimit, dijes dhe punës, shfaqet figura e ndërmarrësit aksidental: ai që e ndërton pozitën më shumë mbi rrethanat, privilegjin apo hapësirat e krijuara nga mungesa e konkurrencës, sesa mbi inovacionin. Kur modeli i admiruar është thjesht pasurimi, shoqëria rrezikon ta ngatërrojë suksesin me akumulimin.
Kjo pasqyrohet edhe te prioritetet e përditshme.
Orë të gjata në kafehane, preokupimi me dukjen, çiftëzimi si prioritet dhe kërkimin e miratimit sentimental mund të marrin përparësi ndaj leximit, krijimtarisë dhe përgjegjësisë ndaj komunitetit. As shoqërimi, as marrëdhëniet nuk janë problem në vetvete; problem është kur ato bëhen pothuajse i gjithë horizonti i ambicies.
Pakënaqësia shoqërohet me një rehati që nuk kërkon asnjë ndryshim. Nietzsche, përmes konceptit të ressentiment (mllefi i grumbulluar nga pafuqia, që shëndrrohet në fajësim dhe justifikim), na ndihmon të mendojmë për çastin kur ndjenja e pafuqisë kthehet në mllef e justifikim, në vend të kapërcimit krijues.
Kanti, përkundrazi, e lidh emancipimin me guximin për ta përdorur arsyen në mënyrë të pavarur: Sapere aude — guxo të dish. Një shoqëri që ka kërkuar lirinë politike duhet të pyesë nëse po kultivon edhe lirinë për të menduar, dyshuar e gjykuar.
Kriza, pra, nuk është domosdoshmërisht
mungesë ambicieje, por keqorientimi i saj. Dhe varfëria më shqetësuese e një shoqërie mund të mos jetë pamundësia për të konsumuar, por mungesa e dëshirës për të kuptuar. Sepse mund të fitohen gjithnjë e më shumë mjete për të jetuar, pa u pyetur kurrë se për çfarë ia vlen të jetohet.
(Autori ka përfunduar Marrëdhenie Politike, Filozofi dhe Ekonomi në Richmond
University në Londër)
Burimi: Insajderi