Kurti u bën thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës të votojnë nesër për Këshillin Kombëtar Shqiptar

Kurti u bën thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës të votojnë nesër për Këshillin Kombëtar Shqiptar

Written by

in

Kurti u bën thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës të votojnë nesër për Këshillin Kombëtar Shqiptar

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës që nesër, më 8 nëntor, të marrin pjesë në zgjedhjet për Këshillin Kombëtar Shqiptar.

Përmes një postimi, Kurti ka bërë të ditur se 37 mijë e 759 shqiptarë të regjistruar në Listën e Posaçme Zgjedhore kanë të drejtë vote, ndërsa për 29 ulëse në këtë institucion garojnë katër lista me gjithsej 107 kandidatë.

Ai ka theksuar se Këshilli Kombëtar Shqiptar rikthehet në përbërjen prej 29 anëtarësh, pas më shumë se një dekade me vetëm 15 anëtarë, si rezultat i regjistrimit të popullsisë të vitit 2022.

Kurti ka vënë në pah rëndësinë e këtij institucioni në përfaqësimin dhe mbrojtjen e të drejtave kolektive të shqiptarëve, veçanërisht në fushat e arsimit, kulturës, informimit dhe përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe.

Në reagimin e tij, ai ka përmendur edhe sfidat me të cilat përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës, përfshirë pasivizimin e adresave, diskriminimin dhe nënpërfaqësimin institucional.

Kreu i Qeverisë në detyrë ka ritheksuar se Kosova do të vazhdojë mbështetjen për shqiptarët e këtyre tri komunave, përmes teksteve mësimore, bursave për nxënës e studentë, si dhe përkrahjes së kulturës dhe institucioneve përfaqësuese.

Në fund, Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin në zgjedhje dhe ta ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike të votës, lirshëm dhe sipas bindjeve personale.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali