
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në Departamentin Special, këtë të premte është paraqitur Enis Bytyqi, në kuadër të rigjykimit për rastin që lidhet me akuzat për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit, përmes postimeve në rrjetet sociale që, sipas Prokurorisë Speciale, përmbanin thirrje për t’iu bashkuar luftës për xhihad.
Gazeta Sinjali raporton se në seancën e sotme ka munguar i bashkakuzuari Denis Bytyqi, për të cilin, sipas informacioneve të bëra të ditura gjatë seancës, nuk dihet vendndodhja.
Rasti ndaj dy të akuzuarve është kthyer në rigjykim pasi Gjykata e Apelit e ka prishur aktgjykimin dënues të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Në mars të vitit 2026, Gjykata Themelore kishte shqiptuar dënim me dy vjet burgim ndaj Denis Bytyqit, ndërsa Enis Bytyqin e kishte dënuar me një vit burgim, për veprën penale të nxitjes së përçarjes dhe mosdurimit.
Megjithatë, këto dënime nuk kanë mbetur në fuqi, pasi Gjykata e Apelit, në korrik të këtij viti, e ka kthyer çështjen në rigjykim, duke konstatuar mangësi në arsyetimin e aktgjykimit të shkallës së parë.
Sipas vlerësimit të Apelit, gjykata e shkallës së parë nuk kishte sqaruar mjaftueshëm se cilat veprime konkrete të të akuzuarve përmbushnin elementet e veprës penale dhe në çfarë mënyre publikimet e tyre mund të nxisnin urrejtje, përçarje apo mosdurim ndërmjet grupeve të mbrojtura me ligj.
Çfarë thotë aktakuza e Prokurorisë Speciale?
Sipas aktakuzës së ngritur më 23 shtator 2025, dy të pandehurit dyshohet se, në vazhdimësi deri më 1 maj 2025, përmes rrjeteve sociale Facebook dhe TikTok, kanë shpërndarë postime me përmbajtje nxitëse, duke bërë thirrje për t’iu bashkuar luftërave të armatosura dhe luftës për xhihad.
Prokuroria pretendon se përmes këtyre publikimeve të akuzuarit kanë propaganduar ideologji ekstreme fetare dhe kanë shprehur përkrahje publike për veprimet e organizatës terroriste ISIS.
Në dosjen e Prokurorisë përmendet edhe shprehja e armiqësisë ndaj institucioneve shtetërore, forcave të sigurisë, liderëve politikë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe personave që nuk ndajnë të njëjtën ideologji.
Gjithashtu, sipas aktakuzës, të pandehurit dyshohet se kanë vendosur flamuj me simbole të organizatës terroriste ISIS mbi kulmin e shtëpisë së tyre, si dhe kanë bërë grafite me shkronja arabe në muret e saj.
Prokuroria pretendon se veprimet dhe publikimet e tilla kanë pasur potencial për prishjen e rendit publik.
Sinjali kishte raportuar për arrestimin e dy vëllezërve
Gazeta Sinjali kishte raportuar më herët edhe për arrestimin e dy vëllezërve Bytyqi dhe caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj tyre.
Në atë kohë, ndaj tyre ishin ngritur dyshime për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit, si dhe për vepra që lidheshin me bashkimin apo pjesëmarrjen në formacione të huaja ushtarake ose paraushtarake.
Ndërkohë, në aktakuzën e shtatorit 2025, akuza e raportuar ndaj tyre ishte ajo për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit.
Në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 9 tetor 2025, të dy të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.
Çështja penale po trajtohet nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Violeta Namani-Hajra, me anëtarë gjyqtarët Lutfi Shala dhe Kushtrim Shyti.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post LEX | Thirrjet për xhihad dhe përkrahja e ISIS-it, Enis Bytyqi del para gjykatës në rigjykim – Mungon vëllai i tij, nuk i dihet vendndodhja appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali