Çfarë dihet për sulmuesin në Poloni – iu gjet një sasi e madhe municioni

Çfarë dihet për sulmuesin në Poloni - iu gjet një sasi e madhe municioni

Written by

in

Personi i dyshuar për vrasjen e gjashtë personave dhe plagosjen e 16 të tjerëve në Krakov të Polonisë dyshohet se ishte “i fascinuar nga ideologjitë e ekstremit të djathtë” dhe se kishte vepruar i vetëm, ka deklaruar ministri i Brendshëm polak, Marcin Kierwiński.

Deklarata e tij përbën treguesin e parë të qartë për një motiv të mundshëm të sulmit që tronditi Poloninë, një vend ku sulme të tilla masive janë jashtëzakonisht të rralla.

I dyshuari është një 25-vjeçar, shtetas polak, i cili të shtunën rreth orës 15:00 hyri me një veturë të zezë Subaru në Sheshin Kryesor historik të Krakovit dhe nisi të qëllonte në mënyrë të rastësishme ndaj kalimtarëve, sipas autoriteteve dhe policisë.

Gjashtë persona, katër gra dhe dy burra, humbën jetën, ndërsa 16 të tjerë u plagosën. Në mesin e të plagosurve janë edhe dy zyrtarë policorë.

Duke folur në një konferencë për media në Krakov, ministri Kierwiński tha se gjithçka tregon se sulmuesi kishte “pikëpamje shumë, shumë radikale” dhe ishte “i fascinuar nga ideologjitë e ekstremit të djathtë”.

“Policia nuk ka asnjë bazë për të konkluduar se më shumë se një person ishte përgjegjës për këtë masakër të tmerrshme. Duket se ka pasur vetëm një sulmues”, deklaroi ai.

Sulmuesi u qëllua dhe u arrestua pas një shkëmbimi zjarri me policinë.

Më pas ai u dërgua në spital, ku iu nënshtrua një operacioni.

Zëdhënësja e policisë rajonale, Katarzyna Cisło, tha se sulmuesi kishte veshur rroba kamuflazhi dhe jelek antiplumb, ndërsa mbante një armë të gjatë të stilit ushtarak.

Policia gjeti gjithashtu disa armë të tjera dhe një sasi të madhe municioni brenda automjetit të tij.

Hetuesit po kryejnë kontrolle dhe hetime edhe në shtëpinë e të dyshuarit, bëri të ditur ministri i Brendshëm.

Ndërkohë, ministri polak i Mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz, hodhi poshtë pretendimet se sulmuesi kishte qenë pjesëtar i ushtrisë polake.

Sipas tij, 25-vjeçari nuk kishte shërbyer asnjëherë në forcat e armatosura dhe nuk kishte pasur lidhje me ushtrinë.