
Greva e punëtorëve teknikë në shkollat e Prishtinës është drejt përfundimit, pasi Komuna e Prishtinës dhe sindikata kanë arritur marrëveshje lidhur me pagesat që duhet t’u bëhen këtyre punëtorëve në kuadër të zbatimit të pagës minimale.
Si rezultat i marrëveshjes, shkollat pritet t’i rikthehen funksionimit të rregullt gjatë javës së ardhshme, ka bërë të ditur drejtori i Arsimit në Prishtinë, Arianit Elshani.
Elshani, ka bërë të ditur se marrëveshja e arritur të ejtën mes nënkryetarit të komunës dhe sindikatës, parasheh pagesat që lidhen me pagën minimale për punëtorët teknikë.
“Po, marrëveshja është arritur, në këtë rast mes nënkryetarit të komunës Z. Dushi dhe sindikatës dhe parimisht kemi një marrëveshje edhe të nënshkruar madje me amandamentimin tim të kontratës për pagesat që duhet të bëhen në kuadër të pagës minimale për punëtorët teknikë”, tha ai.
Megjithatë, Elshani ka kritikuar vendimin për grevë në shkolla, duke thënë se kundërshtimi i punëtorëve teknikë është dashur të drejtohet ndaj operatorëve ekonomikë me të cilët kanë marrëdhënie kontraktuale.
“Por, unë e kam thënë që nga fillimi, greva e punëtorëve teknikë nuk e ka pasur vendin në shkolla, greva e ka pasur vendin tek bizneset, tek operatorët ekonomikë të cilët janë të kontraktuar nga Komuna e Prishtinës. Dhe në këtë rast nxënësit, mësimdhënësit, prindërit dhe shkollat tona kanë qenë viktimë e kësaj beteje që është zhvilluar, sepse konsideroj që ligji me hyrjen në fuqi të të gjitha vendimeve qeveritare për çështjen e pagës minimale, këto janë obligime të secilit operator ekonomik, obligime të secilit biznes që funksionon në Republikën e Kosovës dhe secilit institucion publik. Prandaj, marrëdhënie kontraktuale punëtorët teknikë kanë me operatorin ekonomik, jo me Komunën e Prishtinës. Komuna e Prishtinës ka marrëdhënie kontraktuale me kompani, jo me punëtorë teknikë veç e veç”, tha ai.
Elshani ka ngritur dyshime edhe për faktin se problemet me mirëmbajtjen dhe higjienën janë paraqitur në vetëm tri nga 54 shkollat ku janë të angazhuar punëtorët teknikë. Ai ka paralajmëruar se gjatë javës së ardhshme do të analizohen dhe identifikohen problemet në këto shkolla.
“Për më tepër, për neve është shumë dyshuese pse në 54 shkolla të cilat i kemi prezentë punëtorë teknikë, ne kemi problem në tre shkolla, veçanërisht në tre shkolla. Pra, kjo na bën me dyshuar për disa gjëra, të cilat gjatë javës në vijim kemi me i identifikuar qartë, me i sanuar qartë ato probleme, qofshin ato menaxheriale, qofshin ato të përgjithësisë, papërgjegjësisë së punëtorëve përkatës apo tendencave për të shpërfaqur por edhe tendencë për të krijuar një gjendje të tillë alarmante të higjienës, veçanërisht në shkollën Naim Frashëri, në shkollën Ismail Qemali dhe shkollën Mehmet Gjevori, sepse është vërtet e pakuptueshme pse nga 54 shkolla ne kemi veçanërisht probleme tri shkolla. Pra, kjo duhet të analizohet në aspekt të plotë, qoftë prej Drejtorisë Komunale të Arsimit në raport me aspektin menaxherial, por edhe me aspektin teknik të punëtorëve të caktuar në këto shkolla”, tha ai për EO.
Ndërkohë, deri në rikthimin e punëtorëve teknikë në vendet e tyre të punës, pastrimi dhe mirëmbajtja e shkollave do të mbulohen nga Ndërmarrja Publike Banesore dhe ndërmarrja “Pastrimi”.
Drejtoria e Arsimit do të koordinojë dhe mbikëqyrë zbatimin e këtyre masave, me qëllim të sigurimit të kushteve të përshtatshme për nxënësit dhe mësimdhënësit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali