
Një aheng familjar në fshatin Gjurkoc të Shtimes është përcjellë me të shtëna armësh, pasi një person ka përdorur pistoletën duke shtënë në ajër. Për rastin ka ndërhyrë Policia, ndërsa arma dhe municioni janë sekuestruar, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, ngjarja ka ndodhur të shtunën, më 7 nëntor, kur A.I. gjatë një feste familjare ka shtënë në ajër me pistoletë, për të cilën posedonte leje valide për mbajtje, të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Gjatë trajtimit të rastit, Policia ka sekuestruar pistoletën, një karikator me 30 fishekë, tri gëzhoja, si dhe librezën dhe lejen e armës.
I dyshuari është shoqëruar për intervistim dhe pas përfundimit të procedurave policore është njoftuar Prokuroria.
Me vendim të Prokurorisë, ai është liruar në procedurë të rregullt.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali