
Të paktën gjashtë persona u vranë dhe disa të tjerë u plagosën, kur një person i armatosur – i dyshuar se ka lidhje me të djathtën ekstreme – hapi zjarr në qendër të Krakovit, qytetit të dytë më të madh në Poloni.
Gjatë kontrollit të policisë në shtëpinë e tij, u gjetën tre trupa të pajetë. Ja çfarë dimë deri më tani.
Si ndodhi sulmi?
Sulmi filloi pak para orës 15:00 me orën lokale në Sheshin Kryesor të Tregut në Krakov, një pikë qendrore shumë e frekuentuar e qytetit, e cila është mjaft popullore për turistët.
Policia bëri të ditur se një burrë hyri me automjet në shesh dhe më pas filloi të qëllonte “në drejtim të njerëzve të rastësishëm nga makina e tij”.
Pamjet tregojnë skena paniku ndërsa njerëzit largoheshin me vrap, ndërsa dëgjohen qartë të shtëna armësh, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.
Gjatë këtij sulmi, që duket se ishte i rastësishëm, u qëllua edhe një tramvaj që po kalonte aty pranë; xhamat u thyen, por asnjë nga pasagjerët nuk u lëndua.
Oficerët e armatosur nxituan në vendngjarje dhe u përfshinë në një shkëmbim zjarri me të dyshuarin, i cili u qëllua brenda tre minutave nga fillimi i sulmit, duke parandaluar një masakër të mëtejshme, thanë zyrtarët.
Një 25-vjeçar i arrestuar mbetet në spital pasi iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale për një plagë me armë zjarri.
Sa persona kanë humbur jetën dhe sa janë plagosur?
Është konfirmuar vdekja e gjashtë personave – katër gra dhe dy burra – mes të cilëve edhe një shtetas britanik. Tre nga viktimat janë polakë, ndërsa dy të tjerë mbeten të paidentifikuar.
Gjashtëmbëdhjetë persona, përfshirë pesë të huaj, dy oficerë policie dhe vetë sulmuesin, janë dërguar në spital. Ministria e Brendshme bëri të ditur më vonë se të huajt ishin nga Austria, Britania, Gjermania, Portugalia dhe Rusia.
Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, njoftoi më vonë se oficerët e plagosur janë Jakub Kulik dhe Artur Morański.
Njëri prej oficerëve të policisë ndodhet në “gjendje shumë kritike”, sipas një ministri të qeverisë polake; ai u qëllua tri herë gjatë përpjekjes për të arrestuar sulmuesin. Ministri shtoi se oficeri po i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Autoritetet polake nuk i kanë konfirmuar ende emrat dhe moshat e viktimave të tjera.
Tusk deklaroi se në shtëpinë e sulmuesit, gjatë kontrollit të kryer pas ngjarjes, u gjetën trupat e tre personave – dy gra dhe një burrë.
Të dielën, policia polake konfirmoi se këto tri viktima janë identifikuar si prindërit e sulmuesit të dyshuar dhe motra e tij, e cila ishte 21 vjeçe.