Dy persona kanë mbetur të lënduar rëndë në një aksident me 30 automjete, të ndodhur në mjegull në autostradën M20 pranë Maidstone-it.
Një segment i autostradës M20 u mbyll përkohësisht dhe dy persona mbetën të lënduar rëndë, pasi më shumë se 30 automjete u përfshinë në një aksident në Angli.
Policia e Kentit njoftoi se ngjarja ndodhi në korsinë në drejtim të Londrës, pranë Hollingbourne-it, në Maidstone, rreth orës 18:41 të së shtunës, shkruajnë mediat britanike, përcjell Telegrafi.
Sipas “National Highways” (Autoriteti Kombëtar i Autostradave), në atë kohë në zonë kishte “mjegull të dendur”, ndërsa aksidenti bëri që autostrada të mbyllej në të dyja drejtimet, midis nyjeve 8 dhe 9, për disa orë.
Shërbimi i Zjarrfikësve dhe Shpëtimit të Kentit bëri të ditur se në vendngjarje u dërguan tre automjete zjarrfikëse dhe një njësi shpëtimi teknik.
Njëmbëdhjetë persona morën ndihmë mjekësore nga ekipet e urgjencës; policia njoftoi se dy prej tyre ishin lënduar rëndë dhe u dërguan në spital.
Drejtues mjetesh, duke shkruar në faqen në Facebook “Kent Traffic and Travel”, u shprehën se kushtet në kohën e aksidentit ishin të rrezikshme.
“Kalova aty rreth orës 18:30”, tha Rob Rattenbury. “Mjegulla u shfaq papritur dhe ishte shumë e dendur. Të gjitha makinat po e ulnin shpejtësinë në rreth 48 km/h (30 milje në orë). Bëni kujdes!”.
Ema Louise shkroi: “Isha në anën tjetër të rrugës dhe dëgjova një përplasje të fortë, por nuk pashë asgjë, pasi kishte shumë mjegull”.
Disa përdorues sugjeruan se tymi nga një shfaqje fishekzjarrësh aty pranë mund ta ketë përkeqësuar dukshmërinë.
Rreth orës 05:00 të mëngjesit të së dielës, “National Highways” njoftoi se të dyja korsitë ishin rihapur.
Një tjetër paralajmërim për mjegull, i lëshuar nga “Met Office” (shërbimi meteorologjik), mbetet në fuqi deri në orën 10:00 të së dielës dhe përfshin një pjesë të madhe të Anglisë jugore dhe rajonin e Midlands. /Telegrafi/