Sipas gazetës “The Times of Israel”, avokati i “Likud”-it, Ilan Bombach, tha se vëzhguesit e partisë në qendrat e votimit, kanë paraqitur rreth 700 ankesa gjatë ditës së zgjedhjeve.
Sipas tij, aktivistë të partive arabe, kanë përdorur aplikacione në telefonat inteligjentë për të ndjekur se cilët votues kishin marrë pjesë në votime, një praktikë që ishte ndaluar nga Gjykata e Lartë, pak ditë përpara zgjedhjeve.
Bombach pretendon se përdorimi i këtyre aplikacioneve, u ka dhënë partive arabe një avantazh të padrejtë dhe se secila prej ankesave mund të lidhet me qindra ose mijëra vota.
Ai bëri të ditur se “Likud” po shqyrton nëse do të kërkojë anulimin e të gjithë procesit zgjedhor apo vetëm kundërshtimin e disa elementeve të tij.
Ankimimi pritet të paraqitet në Gjykatën e Qarkut të Jerusalemit, ndërsa afati i fundit për këtë procedurë është 17 nëntori.
Megjithatë, të dhënat e një organizate vëzhguese të quajtur “Civilian Election Guard”, e cila kishte dërguar vullnetarë në qendrat e votimit, tregojnë se janë evidentuar 374 raste të përdorimit të dyshuar të paligjshëm, të aplikacioneve për gjurmimin e pjesëmarrjes.
Sipas organizatës, pjesa më e madhe e rasteve të evidentuara lidhej me aktivistë të “Likud”-it dhe punonjës të qendrave të votimit, të cilët përbënin 32% të shkeljeve të raportuara.
Pas tyre renditeshin aktivistët e partisë ultraortodokse “Judaizmi i Bashkuar i Torës”, me 10%, “Shas” me 6%, “Ra’am” me 2% dhe “Lista e Përbashkët” me 1%.
Gjykata e Lartë e Izraelit e kishte ndaluar përdorimin e këtyre aplikacioneve dhjetë ditë përpara zgjedhjeve. “Likud” dhe partitë ultraortodokse kanë kundërshtuar vendimin, duke argumentuar se kufizimi do të dëmtonte organizimin e tyre elektoral dhe përpjekjet për të nxitur mbështetësit të votonin.
Përveç pretendimeve për gjurmimin e votuesve, “Likud” ka ngritur edhe akuza për parregullsi të tjera, përfshirë blerjen e votave dhe financimin e dyshuar nga jashtë të fushatave të partive arabe. Këto pretendime janë bërë objekt i hetimeve nga autoritetet izraelite.
Megjithatë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka deklaruar se akuzat për shkelje sistematike të integritetit të procesit zgjedhor, janë të pabazuara dhe se hetimet nuk përbëjnë arsye për të vënë në dyshim rezultatet përfundimtare.
Komisioni ka theksuar gjithashtu se pretendimet e ngritura nuk kanë ndikim në rezultatet zyrtare të zgjedhjeve.
Zgjedhjet e 27 tetorit përfunduan me humbjen e shumicës parlamentare nga blloku i Netanyahut.
Sipas rezultateve përfundimtare, blloku i kryeministrit siguroi 53 vende në parlamentin prej 120 deputetësh, ndërsa opozita e drejtuar nga Gadi Eisenkot mori 48 vende.
Dy partitë kryesore arabe, “Lista e Përbashkët” dhe “Ra’am”, fituan së bashku 19 mandate.
Rritja e pjesëmarrjes së votuesve arabë dhe rezultati i tyre u dhanë këtyre partive, një rol të rëndësishëm në përpjekjet për formimin e qeverisë së re.
Netanyahu dhe aleatët e tij kanë pretenduar se zgjedhjet janë ndikuar nga ndërhyrje të paligjshme, ndërsa opozita i ka akuzuar ata se po përpiqen të delegjitimojnë rezultatin dhe të vënë në dyshim votën e qytetarëve arabë.
Pas përfundimit të procesit të certifikimit të rezultateve, presidenti izraelit Isaac Herzog nisi konsultimet me përfaqësuesit e partive politike.
Dje në mbrëmje, ai njoftoi se do t’i besojë Gadi Eisenkotit detyrën për të formuar qeverinë e re, pasi 67 deputetë mbështetën kandidaturën e tij, kundrejt 46 që rekomanduan Netanyahun.
Burimi: RTKLive
