Kosova vazhdon të ketë një dallim të madh ndërmjet importeve dhe eksporteve. Gjatë periudhës janar-tetor 2026, në vend janë importuar mallra në vlerë prej mbi 6.3 miliardë eurosh, ndërsa eksportet kanë arritur në vetëm rreth 960 milionë euro.
Sipas të dhënave zyrtare nga Dogana e Kosovës, vlera e përgjithshme e importeve gjatë dhjetë muajve të parë të vitit ishte 6 miliardë e 304.9 milionë euro, kundrejt 960 milionë eurove eksporte.
Kjo nënkupton një deficit tregtar prej rreth 5.34 miliardë eurosh vetëm gjatë kësaj periudhe.
Në raport me eksportet, Kosova ka importuar rreth 6.6 herë më shumë mallra sesa ka eksportuar. Eksportet kanë mbuluar vetëm rreth 15.2 për qind të vlerës së importeve.
Kina kryeson importet, Shqipëria eksportet
Kina është vendi prej nga Kosova ka importuar më së shumti mallra gjatë periudhës janar-tetor 2026.
Importet nga Kina kanë arritur në rreth 879.4 milionë euro. Pas saj renditet Gjermania me 838.6 milionë euro, ndërsa Turqia është e treta me rreth 740.3 milionë euro, shkruan Telegrafi.
Vetëm nga këto tri vende, Kosova ka importuar mallra në vlerë prej rreth 2.46 miliardë eurosh, që përbën rreth 39 për qind të importeve totale.
Në anën tjetër, destinacioni kryesor i eksporteve kosovare është Shqipëria.
Gjatë dhjetë muajve të parë të vitit, Kosova ka eksportuar në Shqipëri mallra në vlerë prej rreth 182 milionë eurosh, ose afro 19 për qind të eksporteve totale.
Maqedonia e Veriut renditet e dyta me 148.6 milionë euro, ndërsa Gjermania e treta me rreth 94.4 milionë euro.
Zvicra është gjithashtu një prej tregjeve më të rëndësishme për produktet kosovare, me eksporte në vlerë prej rreth 92.2 milionë eurosh.
Pasojnë Serbia me 61.4 milionë euro dhe Mali i Zi me 50.6 milionë euro. Të dhënat tregojnë se eksportet kanë shënuar rritje graduale gjatë vitit.
Në janar, eksportet ishin rreth 60.2 milionë euro, ndërsa në tetor arritën në 124.2 milionë euro, që është njëkohësisht niveli më i lartë mujor gjatë periudhës së analizuar, shkruan Telegrafi.
Në shtator eksportet ishin 109.4 milionë euro, ndërsa në korrik 104.8 milionë euro. Edhe mbulueshmëria e importeve me eksporte është përmirësuar në muajt e fundit.
Në janar, eksportet mbulonin rreth 14.2 për qind të importeve, ndërsa në tetor kjo përqindje u rrit në afërsisht 17.9 për qind.
Megjithatë, hendeku mbetet i madh. Vetëm gjatë tetorit, importet arritën në rreth 694.9 milionë euro, krahasuar me 124.2 milionë euro eksporte.
Çfarë eksporton më së shumti Kosova?
Produkti me vlerën më të madhe të eksportuar gjatë kësaj periudhe ishte energjia elektrike, me rreth 83.7 milionë euro.
Pjesa më e madhe e energjisë elektrike u është eksportuar shteteve të rajonit, ku dominon Shqipëria 59.53 milionë euro, Maqedonia e Veriut 16.76 milionë euro, Mali i Zi 3.55 milionë euro, Zvicër 2.63 milionë euro, Greqi 560 mijë euro, Serbi 509 mijë euro, Danimarkë 112 mijë euro dhe Slloveni 48 mijë euro.
Pas saj vijnë pijet freskuese me rreth 46.3 milionë euro, si dhe dyert, dritaret dhe skeletet e tyre prej materialeve plastike, me rreth 37.9 milionë euro.
Në mesin e produkteve kryesore të eksportit janë gjithashtu mbetjet dhe kthimet ferrike me rreth 29.1 milionë euro, mobiliet prej druri me 21.8 milionë euro dhe ferronikeli dhe xeheroret me rreth 20.7 milionë euro.
Kosova ka eksportuar gjithashtu konstruksione, xeherore dhe koncentrate plumbi, dyer e dritare prej alumini dhe produkte të tjera të industrisë përpunuese.
Derivatet dhe energjia ndër importet më të mëdha
Në anën e importeve, kategoria me vlerën më të madhe rezulton ajo e derivateve të naftës, me mbi 614 milionë euro.
Importet e energjisë elektrike kanë arritur në rreth 205.3 milionë euro, ndërsa cigaret që përmbajnë duhan në rreth 160.7 milionë euro.
Në mesin e kategorive kryesore janë edhe shufrat e çelikut me rreth 127.2 milionë euro, medikamentet me 125.3 milionë euro dhe një kategori e veturave të përdorura me motor dizel, me mbi 124 milionë euro.
Sa i përket importit të energjisë elektrike, Maqedonia e Veriut ishte vendi prej nga Kosova importoi më së shumti gjatë periudhës janar–tetor 2026.
Nga gjithsej 205.3 milionë euro energji elektrike të importuar, rreth 86.8 milionë euro erdhën nga Maqedonia e Veriut. Në vendin e dytë renditet Shqipëria, me rreth 69.5 milionë euro, ndërsa nga Mali i Zi u importuan rreth 22.2 milionë euro, shkruan Telegrafi.
Pasojnë Zvicra me 13.6 milionë euro, Greqia me 4.5 milionë euro, Danimarka me 3.9 milionë euro dhe Bullgaria me 3.2 milionë euro etj.
Kurse nga Serbia vlera e energjisë elektrike të importuar për periudhën janar-tetor 2026, ka qenë saktësisht rreth 712 mijë euro.
Të dhënat për periudhën janar–tetor 2026 tregojnë kështu se, pavarësisht rritjes së eksporteve në muajt e fundit, ekonomia e Kosovës vazhdon të karakterizohet nga një varësi e lartë nga importet, me një hendek prej mbi 5.3 miliardë eurosh ndërmjet mallrave të importuara dhe atyre të eksportuara. /Telegrafi/