Tërmeti i fuqishëm godet Japoninë, mbi 20 të lënduar

Tërmeti i fuqishëm godet Japoninë, mbi 20 të lënduar

Written by

in

Një tërmet me magnitudë 5.7 ka goditur Japoninë qendrore në orët e para të së dielës, duke lënë të paktën 20 persona të plagosur dhe duke shkaktuar dëme materiale në disa zona të vendit.

Sipas Agjencisë Meteorologjike të Japonisë, lëkundjet sizmike u regjistruan në orën 01:04 sipas kohës lokale, në prefekturën Shizuoka, në një thellësi prej rreth 40 kilometrash. Tërmeti shkaktoi frikë te banorët, shumë prej të cilëve u larguan me nxitim nga ndërtesat për t’i shpëtuar lëkundjeve.

Agjencia japoneze e lajmeve Kyodo raportoi se të paktën 20 persona kanë mbetur të plagosur në prefekturat Aichi dhe Shizuoka.

Lëkundjet u ndjenë edhe në disa rajone të tjera, përfshirë qytetin Hamamatsu, zonat përreth Kiotos dhe Narës, si dhe prefekturat Yamanashi dhe Gifu. Pamjet e transmetuara nga mediat lokale shfaqën dëme nëpër dyqane, me vitrina të thyera dhe copa xhami të shpërndara në rrugë.

Pas tërmetit, Agjencia Meteorologjike e Japonisë paralajmëroi qytetarët për mundësinë e lëkundjeve të tjera të fuqishme gjatë javës së ardhshme, me theks të veçantë në dy deri në tri ditët në vijim.

Zyrtari i kësaj agjencie, Ayataka Ebita, kërkoi gjithashtu kujdes nga rrëshqitjet e dheut dhe rënia e gurëve, veçanërisht në rast të reshjeve të shiut.

Ndërkohë, autoritetet kanë bërë të ditur se deri më tani nuk janë vërejtur ndryshime të pazakonta në zonën e Hendekut Nankai, ku takohen dy pllaka të mëdha tektonike. Kjo zonë konsiderohet me rrezik të lartë sizmik, pasi shkencëtarët prej kohësh paralajmërojnë mundësinë e një tërmeti me pasoja shkatërruese.

Për arsye sigurie, disa linja lokale hekurudhore u pezulluan përkohësisht. Ndërkaq, trenat me shpejtësi të lartë Shinkansen vazhduan qarkullimin, por me shpejtësi të reduktuar në zonat e prekura.

Kompania hekurudhore JR Central njoftoi se linja Tokaido Shinkansen, e cila lidh Tokion me Osakën, pësoi vonesa në segmentin ndërmjet stacioneve Shizuoka dhe Gifu-Hashima, ndërsa ekipet përkatëse kryenin kontrolle për të verifikuar sigurinë e infrastrukturës.

Burimi: Dukagjini