Policia e Tiranës ka arrestuar katër persona dhe ka proceduar penalisht shtatë të tjerë, pas akteve të dhunës të regjistruara gjatë tubimit të zhvilluar ditën e djeshme në kryeqytetin shqiptar.
Sipas njoftimit zyrtar, protestuesit kundërshtuan dhe goditën me sende të forta dhe lëndë piroteknike punonjësit e Policisë, bllokuan qarkullimin dhe dogjën kazanë mbeturinash.
Në pranga kanë përfunduar katër shtetas, përkatësisht K. N., 24 vjeç, M. K., 19 vjeç, B. M., 19 vjeç dhe Z. N., 34 vjeç, ndërsa shtatë persona të tjerë janë proceduar penalisht.
Gjatë kontrolleve fizike dhe atyre në banesa, Policia ka sekuestruar një sasi lënde narkotike kanabis, një send metalik shpues, një send imitues të armës së zjarrit dhe 50 sfera metalike. Gjithashtu, janë sekuestruar mjete të dyshuara për hedhjen e gurëve.
Policia bën me dije se, në zbatim të Aktit Normativ nr. 5, datë 28.10.2026, janë vendosur 12 masa administrative për kundërvajtjet e konstatuara gjatë tubimit.
Njëra prej gjobave, në vlerën 500 mijë lekë, është vendosur ndaj një shtetasi, i cili, sipas Policisë, i maskuar me kapuç, ka goditur me gurë në drejtim të punonjësve të Policisë dhe godinës së Kryeministrisë.
Pavarësisht thirrjeve të efektivëve për të ndërprerë veprimet e dhunshme dhe për t’u shpërndarë, shtetasi nuk i ka respektuar ato.
Ndërkohë, Policia dhe Prokuroria vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjeve, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe vendosjen e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/