S’gabon Prishtina, Drenica ndal Dritën

S’gabon Prishtina, Drenica ndal Dritën

Written by

in

Skuadra bardheklatër ka arritur fitore të rëndësishme në udhëtim ndaj Vushtrrisë, duke triumfuar me rezultat 1-2 në kuadër të javës së 13-të të Superligës së Kosovës në futboll.

Skuadra kryeqytetase e nisi mirë takimin dhe arriti të kalojë në epërsi në minutën e 28-të, kur Rin Ahmeti finalizoi një aksion të bukur të mysafirëve.

Prishtina e vazhdoi dominimin edhe pas pushimit, ndërsa në minutën e 49-të Assane Diatta realizoi golin e dytë, duke e afruar ekipin e tij edhe më shumë me fitoren.

Vushtrria arriti të ngushtojë rezultatin në minutën e 79-të, me Urim Statovcin, i cili përfitoi nga një gabim në mbrojtjen e Prishtinës.

Megjithatë, vendasit nuk arritën të shmangin humbjen dhe tri pikët udhëtuan drejt kryeqytetit.

Me këtë fitore, Prishtina shkon në kuotën e 32 pikëve dhe vazhdon të kryesojë në tabelë, me pesë pikë më shumë se Malisheva. Në anën tjetër, Vushtrria mbetet me vetëm tri pikë.

Ndërkohë, Drita ka dështuar të marrë fitoren e radhës, pasi ka barazuar 1-1 në udhëtim ndaj Drenicës.

Kampioni në fuqi e nisi më mirë ndeshjen dhe kaloi në epërsi në minutën e 16-të. Albert Dabiqaj realizoi për 0-1, pas asistimit të Pëllumbit.

Megjithatë, reagimi i vendasve ishte i shpejtë. Vetëm nëntë minuta më vonë, Genc Hamiti riktheu baraspeshën në rezultat, duke shënuar për 1-1 në minutën e 25-të.

Në vazhdim, Drita kërkoi golin e fitores dhe krijoi disa mundësi të mira shënimi, por futbollistët e saj nuk arritën t’i konkretizonin rastet e krijuara.

Edhe Drenica pati mundësitë e veta për të përmbysur rezultatin, por rrjetat nuk u tundën më deri në përfundim të takimit.

Pas këtij barazimi, Drita mbetet në pozitën e tretë me 24 pikë, ndërsa Drenica renditet e teta me 12 pikë.

Burimi: RTKLive