Publikohen pamjet: Forcat amerikane godasin anijen tregtare në Gjirin e Omanit, ekuipazhi kishte shpërfillur paralajmërimet

Publikohen pamjet: Forcat amerikane godasin anijen tregtare në Gjirin e Omanit, ekuipazhi kishte shpërfillur paralajmërimet

Written by

in

Publikohen pamjet: Forcat amerikane godasin anijen tregtare në Gjirin e Omanit, ekuipazhi kishte shpërfillur paralajmërimet

Forcat ushtarake amerikane kanë goditur një anije tregtare në Gjirin e Omanit, pasi ekuipazhi i saj dyshohet se kishte shpërfillur paralajmërimet e përsëritura dhe kishte tentuar të shkelte bllokadën detare të vendosur ndaj Iranit.

Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (CENTCOM) njoftoi të shtunën se një aeroplan ushtarak amerikan kishte përdorur municione precize për të goditur pjesën e pasme të anijes tregtare “M/V Huda”, duke e nxjerrë atë jashtë funksionit.

Sipas CENTCOM-it, para sulmit, ekuipazhi ishte udhëzuar të largohej nga hapësirat që do të goditeshin.

Autoritetet amerikane deklaruan se anija kishte vizituar më parë një port iranian dhe po përpiqej të largohej nga ujërat e rajonit, pavarësisht kufizimeve të vendosura.

147 anije të devijuara dhe pesë të neutralizuara

Sipas ushtrisë amerikane, që nga korriku, gjithsej 147 anije tregtare janë devijuar pasi kanë respektuar urdhrat e bllokadës, ndërsa pesë anije të tjera janë neutralizuar për shkak të refuzimit të udhëzimeve.

CENTCOM-i pretendon gjithashtu se ka shkatërruar dhjetë cisterna iraniane të transportit të naftës, të cilat, sipas saj, ishin pjesë e një rrjeti financiar të lidhur me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit.

Ndërkohë, Agjencia Britanike e Operacioneve Tregtare Detare (UKMTO) raportoi për një incident mes një anijeje mallrash dhe forcave ushtarake, rreth 18 milje detare në lindje të Khor Fakkan-it, pranë Emirateve të Bashkuara Arabe.

Garda Kombëtare e Emirateve njoftoi se 22 persona ishin shpëtuar nga një anije mallrash në Gjirin e Omanit.

Irani paralajmëron për mina detare në Ngushticën e Hormuzit

Paralelisht me zhvillimet në Gjirin e Omanit, Garda Revolucionare iraniane pretendoi se dy cisterna nafte kishin marrë flakë pasi kishin goditur mina detare në afërsi të Ngushticës së Hormuzit.

Sipas autoriteteve iraniane, anijet kishin përdorur itinerare të paautorizuara dhe kishin fikur sistemet e navigimit.

Teherani paralajmëroi se anijet që bashkëpunojnë me ushtrinë amerikane dhe shkelin kufizimet e vendosura nga Irani rrezikojnë të godasin mina detare.

Këto zhvillime vijnë në një periudhë tensionesh të shtuara mes Washingtonit dhe Teheranit.

Presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi se forcat amerikane kishin goditur një sistem iranian të mbrojtjes ajrore, ndërsa nga Irani u raportua për shpërthime në disa zona, përfshirë ishullin Qeshm, Sirik, Jask dhe Bandar Abbas.

Pretendimet e palëve për incidentet detare dhe pasojat e sulmeve nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali