
Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës është më e gatshme për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pas fitores së Listës Studentore në zgjedhjet në Serbi.
Në një intervistë për Gazetën Express, Rashiq ka folur për mundësinë e avancimit të procesit të Asociacionit, në një kohë kur fitorja e Listës Studentore ka hapur diskutime për një qasje të re në raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Shiqo, është një obligim si çdo pikë që është brenda marrëveshjeve dhe nuk mund të zhduket, ato janë në tavolinë dhe vetëm varet prej nesh se kur do të veprojmë në atë drejtim. Konsideroj që Qeveria e Kosovës, ku edhe unë jam pjesë e saj, besoj që është më e gatshme tani, në një moment edhe pothuajse revolucionar apo historik, ku mund ndoshta marrëdheniet mes Kosovës dhe Serbisë mund të arrijnë një nivel pak më ndryshe. Sipas meje, ky është momenti kur të gjithë ne duhet të japim kontributin dhe të jemi të armatosur me durim, tolerancë dhe bashkëkuptim”, deklaroi Rashiq.
Rashiq ka përmendur edhe mundësinë që çështja e njohjes së Kosovës të mos jetë prioritet i menjëhershëm, por të lihet përkohësisht anash, në mënyrë që të ketë hapësirë për zhvillimin e proceseve të tjera.
Ai ka folur për një mundësi të re në raportet mes dy vendeve pas ndryshimeve politike në Serbi.
Burimi: Insajderi