Pas rasteve fatale në Pejë e Gjilan, priten raportet për QPS-të

Pas rasteve fatale në Pejë e Gjilan, priten raportet për QPS-të

Written by

in

Pas rasteve fatale në Pejë e Gjilan, priten raportet për QPS-të

Veprimet e Qendrave për Punë Sociale në Pejë dhe Gjilan janë duke u inspektuar pas rasteve të rënda që përfunduan me viktima. Ministri për Punë dhe Familje, Andin Hoti, ka deklaruar se raportet ende nuk janë përfunduar, ndërsa ndërmarrja e masave disiplinore ndaj zyrtarëve u takon komunave.

Në Pejë, inspektimi lidhet me rastin e Arlinda Zekajt, ndërsa në Gjilan me ngjarjen ku humbën jetën dy persona, përfshirë një foshnjë.

Sipas Hotit, inspektorët kanë marrë dosjen e rastit në Pejë dhe kanë intervistuar zyrtarët e Qendrës për Punë Sociale. Ai ka bërë të ditur se ka gjetje fillestare, por nuk i ka shpalosur ato në pritje të përfundimit të raportit.

Ministri ka sqaruar se divizioni i inspektimit kontrollon zbatimin e politikave në QPS, ndërsa raporti përfundimtar i përcillet kryetarit të komunës për ndërmarrjen e masave disiplinore, nëse evidentohen shkelje.

Hoti ka theksuar se veprimi ndaj rekomandimeve është obligim ligjor i autoriteteve komunale.

Raport edhe për rastin e keqtrajtimit të pesëvjeçarit në Lipjan

Ministria ka përpiluar një raport edhe për Qendrën për Punë Sociale në Lipjan, pas rastit të keqtrajtimit të një fëmije pesëvjeçar.

Sipas Hotit, në këtë rast është suspenduar një zyrtar. Megjithatë, ai ka deklaruar se Komuna nuk i ka ofruar ministrisë informacione të tjera për trajtimin e rekomandimeve të raportit.

Përfundimi i inspektimeve në Pejë dhe Gjilan pritet të qartësojë nëse ka pasur lëshime në veprimet e QPS-ve dhe cilat masa do t’u rekomandohen autoriteteve komunale.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali